English

Mjaft: Po sulmohemi nga qeveria

Tiranë, 8 prill, NOA –Drejtues të Lëvizjes Mjaft kanë denoncuar sot presione të institucioneve qeveritare ndaj aktivitetit të tyre. Në një deklaratë për mediat, Lëvizja Mjaft saqron se institucionet tatimore kanë shkelur ligjin duke kërkuar informacione dhe të dhëna që lidhen me aktivitetin e bizneseve dhe jo organizatave të shoqërisë civile.

“Pak para fillimit të fushatës zgjedhore, në zyrën e Lëvizjes MJAFT ka mbërritur një njoftim i Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë për kryerjen e një kontrolli tatimor. Përtej eksperiencës tonë me këtë insituticon, kur edhe në zgjedhjet e shkuara ka qenë objekt i një kontrolli të ngjashëm, duke mënjanuar çdo paragjykim dhe duke i qëndruar parimit për respektimin e ligjit, u shprehëm të gatshëm për t’iu nënshtruar kontrollit dhe për t’i vënë në dispozicion, inspektorëve tatimor, të gjithë informacionin e nevojshëm, në bazë dhe konform legjislacionit tatimor vendas, si dhe objektit të kontrollit tatimor sigluar nga drejtuesi i këtij institucioni, z. Artim Biraçi”, thuhet në njoftimin e kësaj lëvizjeje.

Sipas Mjaft institucionet qeveritare kanë kërkuar kontrollin “... për vetëdeklarimet dhe llogaritjen e derdhjes së detyrimeve nga tatimpaguesit që ndërtojnë e tregtojnë ambiente banimi, shërbimi dhe tregtie, në rolin e kontraktonit, nënkontraktorit, investitori’. Nga vetë objekti i kontrollit, një njoftim i tillë ngjason më shumë me një kërkesë drejtuar një biznesi të fushës së ndërtimit se sa një organizate të shoqërsië civile. Megjithatë, pa dashur të dyshojmë në aftësitë profesionale të dy titullarëve të DRTT, z. Ismail Muca dhe z. Evis Sopi (urdherues dhe hartues te këtij kontrolli) dhe aq më pak në tendencën për të konfonduar statusin e subjektit Lëvizja MJAFT, me qëllim shmangien e ligjit nr. 8788, date 07.05.2001, “Për organizatat jofitimprurëse”, ne bashkëpunuam në mënyrë të hapur dhe korrekte me këtë institucion”.

Sipas Lëvozjes Mjaft, njoftimi zyrtar parashikonte vetëm 24 orë pune për kontrollin në fjalë, “ndërkohë që ne i lejuam këta punonjës të shtetit të qëndronin për më shumë se 2 javë në ambientet tona, duke i lejuar në të njëjtën kohë të shkelnin afatin kohorë si dhe objektin e kontrollit, me vënien në dispozicion të më shumë informacioneve nga ç’parashikohej në njoftim. Lëvizja MJAFT! zgjodhi këtë mënyrë komunkimi për të qenë sa më transparent me ligjin dhe me institucionet shtetërore”.

Mjaft akuzon institucionet e qeverisë se kjo sjellje nuk është e pranueshme dhe dëshmon mos korrektësi në zbatimin e ligjit.

“Gjithashtu, duam të denocojmë publikisht faktin se Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë po ushtron presion të paligjshëm mbi bankën tek e cila Lëvizja MJAFT! kryen veprimet e saj bankare konform ligjit, “Intesa Sanpaolo Bank” për të përvetësuar në mënyrë informale (nëndorë) informacione jashtë çdo tagëri ligjor, duke u shndërruar në një bandë matrapazësh dhe shantazhuesish", sqaron Lëvizja Mjaft.

a.k/NOA

KOMENTE