English

“Një botë pa mina”, Haxhinasto takon princin e Jordanisë

Tiranë, 8 prill, NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto priti në një takim kortezie Princin Raad Al-Hussein të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, i cili po viziton vendin tonë dhe po merr pjesë në takimin e Grupit të Punës për Universalizimin e Konventës së Otaëa-s për ndalimin e minave anti-personel.

Kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi rolin e Princit Raad Al-Hussein dhe angazhimin e tij maksimal në detyrën e të Dërguarit të Posaçëm për Universalizimin e Konventës së Otaëa-s, lidhur me ndalimin e minave anti-personel. Gjithashtu, ai shprehu mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare në këtë përpjekje, që i shërben arritjes së objektivave të Konventës, për “një botë pa mina”.

Nga ana e tij, Princi Raad al-Hussein vlerësoi punën e bërë nga autoritetet shqiptare në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Konventa e Otaëa-s, 10 muaj para afatit të parashikuar.

Haxhinasto vuri në dukje se qeveria jordaneze ka qenë një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe i kërkoi Princit Raad Al-Hussein që të mbështesë pranë vendeve anëtare të Konferencës Islamike miratimin e projekt-rezolutës mbi “Situatën në Kosovë”, e paraqitur nga delegacioni shqiptar, që do të miratohet në Konferencën e ardhshme të Ministrave të Punëve të Jashtme të OKI, në fund të qershorit 2011.

Haxhinasto, duke vlerësuar stadin a marrëdhënieve mes dy vendeve, sugjeroi shkëmbime vizitash në nivele të larta me qëllim nxitjen e shkëmbimeve diplomatike, ekonomike dhe tregtare.

a.k/NOA

KOMENTE