English

Partia e Dell dhe Feith në Kosovë

Nga Adnan Abrashi*

Me ndërmjetësimin e kryetarit të vërtetë të Kosovës, ambasadorit amerikan, Christopher Dell, PDK, LDK dhe AKR, janë pajtuar të mërkurën që nënkolonelja Atifete Jahjaga, të jetë kandidatja e tyre për presidenten formale në letër të Republikës së Kosovës. Kjo është një nga pikat e marrëveshjes ndërmjet ish-presidentit Behgjet Pacolli, kryeministrit Hashim Thaçi dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafa të cilët, “nuk e çnuk”, më në fund nuk patën çare “pa e lidh kalin aty ku thotë shefi” .

Kush sa fitoj nga kjo darkë e fundit e para-Pashkëve të vërtetë, po dihet, por ende nuk e kam të qartë se çka ju është premtuar z. Pacollit, i cili, pas vendimit të fundit të GJK për anulimin e zgjedhjes së tij për President, e flijoj përmbushjen e parashikimit të gjyshit dhe ëndrrën e vetë jetësore që dikur të bëhet president i Kosovës (Tito i Kosovës).

Me këtë rast, më së paku dua të besoj, sikur e deklaroj, në arsyen e tij të tërheqjes gjatë koherencës së përbashkët për shtyp : “Jam tërhequr sepse kam konsideruar se interesat e qytetarit të Kosovës duhet të jenë në rend të pare”

Kur pas këtij lajmi të mbrëmjes, dola të nesërmen në mëngjes nga shtëpia, i njohuri i parë që e takova rrugës, ma bëni së pari “për-hajër kryetaren e re” dhe paralelisht kësaj urate edhe një pyetje:

- “A thua, cilës parti, o mik, po na takoje kjo Atifetja?”.

- “Si kuadro e lartë e policisë së shtetit, FORMALISHT ajo nuk duhet t’i takoj asnjë partie të regjistruar zyrtarisht te ne në KQZ, e, REALISHT, i takon partisë së DELLIT dhe PITER FAITHIT”- ju përgjigja.

- “Mirë, shaka e qëlluar”- më tha duke qeshur.

- “Jo, jo, nuk është shaka”-ia ktheva shpejtë – “Është më se e saktë, sepse pa qenë me kohë e dëgjueshme (servile) dhe në anën e plotë të këtyre dyve nga “miqtë tanë ndërkombëtar”, ajo kurrsesi nuk kishte mund të arrijë aq lartë në hierarkinë policore të Kosovës të kontrolluar aq rreptë nga ta. Mu si Ifigenia e Agamemnoit nga “Iliada dhe Odisea” e Homerit , edhe Afijetja këtë herë, është vetëm pre flijuese e super-klasës politike, apo super-politikës ndërkombëtare, e kamufluar nën petkun e kinse të arritjes së marrëveshjes së kompromisit për nxjerrjen e Kosovës nga kjo krizë ekzistuese”

Nga ana tjetër, edhe jashtë shakave tona të (pa)kriptë dhe finoke popullore në këto raste, mendoj se e mira e këtij propozimi është se, këtë herë, kemi të bëjmë me një zonjë/zonjushe të nderuar që na vjen nga pjesa tjetër e jona e kundërt gjinore; po dëgjoj nga tjerët se na koka akademike dhe profesionaliste...pa dyshim, poliglot sa i përket gjuhëve të huaja dhe, në krahasim me ish presidentin e mëparshëm jo-kushtetues dhe kryeministrin aktual, ishalla ka shumë më tepër prirje elokuente të komunikimit.

Në këto momente, sa po e shkruaj këtë artikull, po më intereson shumë se kush ka me qenë edhe kundër-kandidatja e dytë e atij formaliteti të votimit në Parlament. Disa gojëkeqit, atë po e cilësojnë si viktimë edhe më të madhe politike se Atifetja, sepse, me pranimin e tij/saj për kandidim si kundër-kandidat/e në këtë ashiqare kurdisje, me vetëdije po e flijon emri dhe dinjitetin e vet. Por, unë këtu mendoj ndryshe. Përkundrazi, mund të thuhet se ai/ajo është edhe një fatlum/e tjetër në këtë cirk politik, që patjetër në fund si kundërshpërblim do t’i jepet (premtohej) diçka. Diçka, ta zëmë, si pare, studime “Dër”, “Mër”, “Master”jashtë vendit, post më të lartë në qeveri...

Fundja, pas një krye-negociatore tanimë veç të emëruar femër me Serbinë, tashti do të kemi edhe një tjetër si presidente. Meqë, hiq deri më sot, nuk patëm fat të mirë me politikan meshkuj, ishalla do të jetë shumë më mirë me këto politikane femra...!

* * *

...Nga këto momente të këndshme meditimeve për kandidaten tonë të re të propozuar për presidente të Kosovës, përqendrimin tim të përkushtuar të vëmendjes, e grabiti tingulli i refrenit të një kënge të bukur zbavitëse shqipe që vinte nga altoparlantit i radios jashtë: “ÇKA PO DOJNA NA PO BOJNA...”

*Opinionet e shprehura janë qëndrim personal i autorit.

NOA

KOMENTE