English

Presidentja Jahjaga nderohet me “Medaljen e Shërbimit”

Prishtinë, 8 prill 2011, NOA- Presidentja e sapozgjedhur e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku u prit nga ministri Bajram Rexhepi dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi.

Gjatë kësaj vizite Presidentja Atifete Jahjaga u nderua me medaljen e mirënjohjes dhe me “Medaljen e Shërbimit”, për gjithë kontributin që ka dhënë gjatë punës së Policinë e Kosovës.

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast ajo u shpreh se, ndihet shumë mirë që është mes kolegeve e kolegëve ku kaloi 11 vjet, duke dhënë kontributin e pakursyeshëm për të ndërtuar një institucion, Policinë e Kosovës.

“Kam përjetuar të gjitha sfidat që kanë çuar në pavarësinë e Kosovës. Jam krenare që jam angazhuar në krijimin e ndërtimin e njërit prej institucioneve më të respektuara të Kosovës”, tha Jahjaga.

Duke vlerësuar si të suksesshme punën në policinë e Kosovës, Presidentja u shpreh se, “Këtë e tregon rritja dhe profesionalizimi i Policisë së Kosovës, sukseset e saj të panumërta, bashkëpunimi i saj shumë i mirë me të gjitha institucionet e tjera dhe, më kryesorja, bashkëpunimi i shkëlqyeshëm me të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Ajo shtoi se, “Sot, kur unë jam zgjedhur në një detyrë të re, kur gjendem para një sfide të madhe në karrierën time, ju them vetëm faleminderit për punën që kemi bërë bashkërisht, për rezultatet dhe sukseset që i kemi arritur bashkërisht. Ju garantoj se, nga detyra e Presidentes së vendit, do t’ju jap gjithë mbështetjen dhe përkrahjen e nevojshme në këtë rrugë dhe këtë mision në shërbim të qytetarëve të vendit”.

a.y/NOA

KOMENTE