English

Pronari shqiptar rreh punëtorin italian, nuk kishte suvatuar mirë

Luka,(Itali) 8 prill 2011 – Policia italiane ka arrestuar një 30 vjeçar shqiptar, pronar i një firme të vogël ndërtimi, për dhunë ndaj një punëtori në Itali. Ngjarja ka ndodhur në komunën Luka, në rajonin e Toskanës, raporton korrespodenti i Agjencisë NOA.

Dy punëtorë italian që suvatonin një apartament janë konfliktuar me shqiptarin, pasi ky i fundit kishte vrejtje për cilësinë e punimeve që kishin bërë punëtorët. Fillimisht 30 vjeçari ka bërtitur duke mos u njohur meritat si punëtorë të zotë. Në këtë moment, një prej punëtorëve, 40-vjeçar, ka kërkuar sqarime për kritikat e pronarit.

Pas kësaj ka nisur dhe sherri me fjalë, ndërsa më pas është kaluar vepra. I riu shqiptar ka marrë një tubë hekuri që ndodhej afër vendit ku punohej dhe ka qëlluar dy shtetasit italian.

Një prej punëtorëve ka marrë dëmtime në kokë dhe është kuruar në spital. Ndërsa për sipërmarrësin shqiptar, emri i të cilit s'është bërë i ditur nga ana e policisë, ka nisur procedimi penal.

a.k/NOA

KOMENTE