English

Topi e Uollfarth inkurajojnë femrat për zgjedhjet e 8 majit

Tiranë, 8 prill 2011, NOA- (Update) Ditën e sotme u kurorëzua përfundimi i misionit të trajnimit të grave për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi dhe Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Eugen Uollfarth, të cilët u dorëzuan certifikatat grave që përfunduan një projekt trajnues të OSBE-së për gratë që marrin pjesë si kandidate në zgjedhjet e ardhshme.

Gjatë këtij projekti, Prezenca, së bashku me partnerin e saj zbatues, Qendrën e Aleancës Gjinore për Zhvillim, organizuan dy seanca trajnimi në shtatë qarqe të ndryshme të Shqipërisë.

Në këtë trajnim rreth 200 kandidatë, përfshirë përfaqësuese të partive politike dhe kandidate të pavarura, u trajnuan në fushat e avdokimit,të folurit në publik dhe komunikimit me median, si dhe se si të zhvillonin një fushatë zgjedhore të ndershme, të efektshme dhe konkurruese.

Gjatë fjalës së tij ambasadori Uolllfarth tha se, “Heqja e hendekut aktual të barazisë gjinore në të gjitha strukturat qeverisëse mbetet një sfidë. Të gjithë partnerët vendas dhe ndërkombëtarë kanë një përgjegjësi thelbësore për ta trajtuar këtë çështje”.

Më tej ai shtoi se zgjedhjet e 8 Majit do të tregojnë se në ç'shkallë gratë do të votojnë dhe në ç'nivel do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë në mënyrë të fshehtë dhe individuale.

Nga ana e tij Presidenti Topi tha se, “Sot nuk ka më paragjykime gjinore dhe as politika e praktika administrative e ligjore që pengojnë barazinë gjinore. Fatkeqësisht, kemi një kontrast të thellë midis premtimeve të partive politike për rritjen e pranisë së grave në vendimmarrjet politike dhe listave zyrtare të kandidatëve".

a.y/NOA

KOMENTE