English

Topi-studentëve: Vota juaj ndikon në ecurinë e demokracisë në vend

Tiranë, 8 prill 2011, NOA- Kreu i shtetit Bamir Topi zhvilloi sot një takim miqësor me një grup studentësh që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011.

Studentët vinin nga Departamentit të Shkencave Politike të Universitetit të Tiranës, si dhe nga universitete të tjera publike dhe private të vendit.

“Sot është një ditë e veçantë. Sot jeni zgjedhur pikërisht për të bërë një apel, pikërisht me studentët që votojnë për herë të parë. Është 8 prill, sipas rregullit kushtetues jemi në ditën e fillimit të fushatës zyrtarisht, fushatës elektorale për zgjedhjet e pushtetit vendor, pra, të pushtetit administrativ. Juve, sigurisht që, me kalimin e viteve, këtë ditë do ta memorizoni edhe në të ardhmen, sepse është momenti kur juve, me votën tuaj, do të ndikoni në ecurinë e proceseve demokratike në Shqipëri”, u shpreh Presidenti Topi.

Më tej ai u tha atyre se janë me fat që kanë lindur në moshën e demokracisë, ku fatin e vet e ka në dorë çdo individ.

Presidenti Topi shtoi ndër të tjera se ata nuk duhet të jenë thjesht konsumatorë të mesazheve politike, por duhet të jenë kontributorë.

“Unë ju bëj thirrje si prindi juaj, si Kryetari i Shtetit, që të vlerësoni shumë këtë moment të parë të së drejtës legjitime kushtetuese që ju të votoni për rinovimin e pushtetit vendor! Të jeni aktivë, të jeni pjesëmarrës, sepse në fund fare bilanci i zgjedhjeve shkon dhe kalkulohet tek partitë. Por, bilancin real të atyre që i ofrohen qytetarit, sigurisht që është qytetari ai që e bën, ai që merr produktin e një vizioni politik konkret apo një vizioni politik demagogjik. Kështu që, më lejoni që, duke ju uruar sinqerisht për këtë mundësi që juve do të shpalosni në datën 8 maj, të jeni edhe shpërndarës të një mentaliteti të ri që me ardhjen e gjeneratave të reja, do të bëjë të mundur që, edhe politika, edhe jeta sociale në Shqipëri, të përmirësohen”, u tha studentëve kreu i shteti.

a.y/NOA

KOMENTE