Tiranë, 8 Prill, NOA/ EDICIONI I DYTË - Gazetat shqiptare flasin mbi deklaratat e fundit të ambasadorit amerikan në vendin tonë, lidhur me pritshmëritë e zgjedhjeve të 8 Majit, si dhe ato të OSBE-së për organizimin e vëzhgimit të tyre.
E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor titullin “Në 12 qytete/ Sondazhi: Rrëzohen kryebashkiakët aktualë”, i cili flet për rezultatet e një sondazhi të kryer nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare mbi rezultatet e zgjedhjeve të 8 Majit.
“PS hap fushatën, Rama: 8 Maji, votë proteste për qeverinë dhe votë besimi për kandidatët socialistë”, është një tjetër artikull i gazetës.
Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Arvizu: Negociatat me Ramën dhe Berishën pas 21 Janarit”; “Basha: Do anuloj pallatet shumëkatëshe te Liqeni Artificial”; “Parlamenti i Kosovës zgjedh presidenten e parë femër” etj.
E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Fatos Kongoli: Jam përlyer në dënimin e kolegut në vitin 1991”, i cili u pohon lexuesve të kësaj gazete rrëfimin e shkrimtarit të njohur dhe pendesën e një veprimi të kryer në komunizëm.
“Rrudhet projekti i amnistisë fiskale, faljet të pjesshme” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.
Për të vijuar edhe me artikullin tjetër me titullin “Fotot dhe historia/ Një vizitë në Sarajet e Toptanasve”.
“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “Sekretet e OSBE-së”, i cili citon përfundimet e raportit të rekrutimit të vëzhguesve, porositë: Merrni ilaçe dhe llamba dore”.
“Admir Tafili: Patentë false dhe 5 karikatorë” është një artikull tjetër i kësaj gazete, referuar zbardhjes së vendimit të gjyqit ndaj vrasësit të vëllezërve Pjetrushi.
Kurse “Studimi: Mjekët në QSUT, në operacione pa larë duart” flet për gjendjen në të cilën gjenden spitalet tona.
E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “Arvizu: SHBA, këshilltar në KQZ”, i cili tregon sesi ambasadori amerikan apelon për të rritur besimin te zgjedhjet.
“Arabët japin kredi me 5 % për rrugën Tiranë-Elbasan” është një tjetër artikull kryesor i kësaj gazete.
Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Bujar Kapexhiu: Do t’i bëj film politikanët tanë”, “Plas granata, vdes i mituri, rëndë i vëllai” etj.
E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “Basha: Rama, kandidati më i dobët për zgjedhjet e 8 Majit”, i cili pasqyron deklaratat e kandidatit Basha në lidhje me garën elektorale të 8 Majit për Bashkinë e Tiranës.
Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Firmoset marrëveshja prej 223 milionë USD për rrugën Tiranë-Elbasan”.
Një tjetër artikull i kësaj gazete është ai me titull “Rama çel fushatën në Tiranë, me premtime të pambajtura”.
Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Premte, 8 Prill 2011. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.