Tiranë, 8 prill, NOA - Ambasadori i OSBE, Eugen Wollfath deklaroi sot se zgjedhjet e 8 majit duhet të tregojnë një nivel të ri të emancipimit të grave. Në ceremoninë e diplomimit të projektit “Gratë në Qeverisje”, ambasadori i OSBE-së ka bërë apel për një pjesëmarrje më të madhe të grave në jetën publike dhe kryesisht në politikë.
“Zgjedhjet për qeverinë vendore të 8 majit do t'i japin mundësi publikut të shohë se sa e madhe do të jetë pjesëmarrja e votueseve grave. Do të jetë, gjithashtu, me shumë interes jo vetëm për ODIHR-in që të vëzhgojë se sa do të jenë në gjendje gratë të votojnë individualisht dhe në fshehtësi, duke eliminuar kështu praktikën e hershme dhe të qortueshme të votimit familjar”, tha sot Wollfatrth.
Ai u shpreh se OSBE dhe fondacionet që kanë investuar për këto projekte presin të shohin një përmirësim të pjesëmarrjes së grave në jetën publike . “Aktiviteti i sotëm përbën një tjetër gur themeli në përpjekjet e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë në ndihmesën e tyre për gratë shqiptare në promovimin e një barazie më të madhe gjinore. Përmirësimi i boshllëkut aktual të barazisë gjinore në të gjitha strukturat e qeverisjes mbetet një sfidë. Gjithë partnerët vendas e ndërkombëtar kanë një përgjegjësi thelbësore për të ndihmuar”, tha Wollfarth.
a.k/NOA