Tiranë, 9 prill 2011, NOA – Kandidati për Kryetar të Bashkisë së Tiranës i “Aleancës për qytetarin” Lulzim Basha ishte i ftuari i sotëm i ditës së sportit që zhvillohet nën kujdesin e Agjensisë së Shërbimeve të Sportit. Në këtë aktivitet të zhvilluar në këndin sportiv Dinamo, i vetmi që i ka shpëtuar betonizimit në Tiranë, kandidati për Tiranën u bë pjesëmarrës i kësaj nisme që përfshin shumë qytetarë duke ndërthurur dorazi profesionistët me dashamirësit e sportit.
Kadidati Basha mbështet idenë se sporti është alternativë më e mirë për të rinjtë sesa harxhimi i kohës nëpër kafene, rrugë apo mjedise që nuk ofrojnë tjetër veç stresit.
Lulzim Basha e vlerësoi këtë nisëm duke thënë se Bashkia e Tiranës ka në dorë dhe do të jetë një aktor i rëndësishëm në stimulimin e sporteve dhe në krijimin e sa më shumë mundësive dhe hapësirave për të përfshirë sa më shumë njerëz në aktivitete të tilla.
Duke u bërë aktor i kësaj dite sporti Basha theksoi se “Më vjen shumë mirë që këto ambiente sportive i rikthehen fëmijëve, por edhe sportit këtu në Tiranë. Sepse ka kohë që mjediset sportive janë nën sulm. I sulmon dhe i kafshon betoni. Së bashku do angazhohemi që të bëjmë një kundërsulm të fuqishëm të sportit ndaj betonit duke bërë ambientet sportive në çdo lagje të Tiranës, dhe duke i mundësuar çdo fëmije në Tiranë që të jetojë një jetë të shëndetshme sportive”, tha Basha.
Sipas tij ata që kanë më shumë nevojë për sportin janë fëmijët, pasi në Tiranë është bërë shumë e vështirë për ta që të kenë një lidhje dhe një perspektivë me sportin.
Kandidati Basha nënvizoi se ndryshimi i kësaj situate është një nga sfidat e Lulzim Bashës dhe prioritet i programit të tij.
“Garat duhet të shikohen si një kontribut për përmirësimin e jetës. Unë jam i vendosur që këtë garë ta shikoj si një kontribut për përmirësimin e jetës në Tiranë dhe një aspekt shumë i rëndësishëm për përmirësimin e jetës, është sporti”, tha Basha.
Në këtë aktivitet morën pjesë sportistë në zë dhe të suksesshëm në disiplinat e tyre, si Klodiana Shala, Sahit Prizreni, apo Agustin Kola.
Në këtë fushë trajnohen nga profesionistë të rinj dhe çdokush që ka interes në sporte të veçanta.
mit/NOA