Pogradec, 9 prill 2011, NOA – Duke ironizuar sloganin e kundërshtarit të tij politik, “E vetmja rrugë”, kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje Edi Ramës se nëse ndjek rrugën e Ramiz Alisë do të shkojë shumë shpejt në pension të parakohshëm. Kryeministri Sali Berisha për ta ilustruar këtë fjali tregoi një situatë të para 21 viteve, kur ndërsa bisedonte me ish-presidentin Ramiz Alinë, i cili sikundër edhe Rama besonte në shprehjen “kurrën e kurrës”, një shprehje të cilës i njihet edhe e kundërta “kurrë mos thuaj kurrë”, të cilën sikundër tha e besonte lideri i mëvonshëm i PD-së Sali Berisha.
“21 vjet më parë, unë, ish-mjeku që kaloja çdo verë pushimet në këtë qytet, takova në një takim me intelektualë Presidentin e asaj kohe dhe i thash se duhet të hiqte nga Kushtetuta atë nen që i jepte Partisë së Punës rolin hegjemon dhe se partia duhet të kishte atë rol që meriton me vota. Ai m’u kthye dhe tha: kurrën e kurrës! Unë iu përgjigja: never say never! (Kurrë mos thuaj kurrë)”, tregoi Berisha.
Pikërisht kjo shprehje e Alisë ishte kujtuar dje, kur sikundër ai tha kishte parë në televizor se Edi Rama kishte nxjerrë një spot ku thoshte “kurrë më”, tha kryeministri para simpatizantëve demokratë në Pogradec.
Këtu ai i bëri këtë thirrje Edi Ramës: “Dua t’i them shokut Rama: kujdes nga ‘kurrë më’ se fatin e Ramizit do të pësosh, pension të parakohshëm dhe shumë shpejt", tha Berisha.
Kryeministri Berisha deklaroi më tej se alternativa e rrugës së vetme është e destinuar të mbetet në disfatë pasi u provua nga populli 45 vite me radhë.
“Ata le të vazhdojnë në rrugën e vetmisë, ndërsa ne të gjithë së bashku do të jemi të bindur se gjithnjë ka rrugë më të mira dhe se s’do reshtim kurrë së kërkuari, së gjeturi, së udhëtuari në to”, deklaroi lideri demokrat gjatë çeljes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit në qytetin e Pogradecit ku ai prezantoi kandidatin për kryetar bashkie të “Aleancës për qytetarin”, Luan Topçiun.
“Ne besojmë se gjithmonë ka një rrugë më të mirë dhe rruga më e mirë është ajo drejt Europës, rruga pa viza, lëvizja e lirë. Ne besojmë se gjithmonë ka një rrugë më të mirë dhe ajo është rruga e rritjes së rrogave, e rritjes së pensioneve. Ne besojmë se gjithmonë ka një rrugë më të mirë dhe ajo është rruga e infrastrukturës moderne, e rrugëve të reja, e shkollave të reja, e ujësjellësve, kanalizimeve”, tha kryeministri Berisha.
Ai i bëri me dije kryesocialistit Rama dhe kandidatit për të katërtin mandat në Tiranë se nuk do të harxhojë as 30 sekonda kohë për të folur për disfatat politike të tij dhe as për betejat e tij politike, ndërkohë që i garantoi pogradecarët se “Pogradeci i kësaj dekade do të jetë një nga qendrat më të fuqishme, më të bukura e më të mëdha turistike të Shqipërisë”.
mit/NOA