Prishtinë, 9 prill, NOA – Dialogu i nisur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, është teknik dhe i tillë do të mbetet deri në fund, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri. Zonja Tahiri, bisedimet teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, janë duke vazhduar. Në këtë drejtim, ka pasur mendime të ndryshme se këto bisedime mund të sjellin ndonjë rezultat. Ju si mendoni?
Dialogu teknik ndërmjet dy shteteve të pavarura, të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, tashmë ka filluar me ndërmjetësimin zyrtar të Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Qeverisë amerikane dhe ka disa objektiva të qartë. Objektivi i parë është që të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve në të dyja vendet. E, po ashtu, edhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe, mbi të gjitha, për afrimin e Kosovës me Bashkimin evropian. Ne jemi shtet që kemi shprehur aspirata për integrime evropiane dhe në kuadër të këtij obligimi ndërkombëtar, ne po avancojmë në drejtim të integrimeve evropiane. Dialogu si ndërmarrje më vete është plot me sfida. Me rëndësi është që ne kemi një qëndrim, pra që të jemi me një frymë konstruktive dhe kreative dhe, po ashtu, kemi një platformë të qartë, e cila në fakt konfirmon se ky dialog është teknik dhe do të mbetet teknik; merret me çështjet praktike. Dhe, ne i kemi vijat e kuqe të qarta se ky dialog dhe të gjitha propozimet për zgjedhje dhe për zgjidhje që mund të gjenden, apo marrëveshjet që mund të mbërrihen, do të jenë të tilla, të cilat mbrojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e Kosovës. Pra, me fjalë tjera, ne përmes këtij dialogu, angazhohemi për ta fuqizuar shtetin e pavarur të Kosovës. Unë pres përparime, por pres edhe rezultate, për arsye se edhe Kosova edhe Serbia duan të afrohen me BE-në. Kjo rrugë është një lloj kushtëzimi për të dyja palët, është një lloj standardi që do plotësuar duke treguar gatishmërinë për zgjidhje për çështjet praktike. Përvojat e kaluara në bisedimet me Serbinë, qoftë në Rambuje, qoftë në Vjenë, kanë treguar se pala serbe nuk ka qenë konstruktive dhe nuk ka qenë e gatshme të nënshkruajë marrëveshje. Nuk dua të paragjykoj tash sjelljen e tyre, por e di se janë të kushtëzuar, kanë shprehur dëshirën të integrohen në BE dhe ma merr mendja se janë të vetëdijshëm se është një lloj kushtëzimi që kësaj radhe të jenë më konstruktivë.
Deri më tani a keni parë ndonjë indikacion mbi gatishmërinë e Serbisë për të pranuar gjendjen reale në Kosovë?
Që nga takimi i parë që kemi pasur në Bruksel, por edhe takimi i dytë, unë mund të them se për nga mentaliteti politik, për fat të keq, ata ende kanë mbetur në të kaluarën. Ndërkohë që proceset në Ballkan kanë ecur drejt një realiteti të ri, kanë lindur shtete të reja, përfshirë edhe Kosovën si shtet i ri, dhe si duket Serbia është pas këtyre zhvillimeve. Nga ana tjetër, qasja e tyre ndaj BE-së tregon se ata duan të jenë pjesë e realiteteve të reja. Por, nuk mjafton vetëm dëshira, mirëpo duhet edhe veprat dhe politika të jenë të tilla. Me fjalë të tjera Serbia duhet ta rishqyrtojë pozicionin e tashëm dhe ta pranojë realitetin e Kosovës, të lëvizë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, sepse kjo është edhe në interesin e Serbisë. Një prej parakushteve për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian është fqinjësia e mirë me shtetet fqinje, si dhe kontributi për stabilitetin dhe paqen në rajon. Pra, këto janë parakushte dhe edhe ne, si shtet i ri, i dimë këto dhe jam e bindur që edhe Serbia i di këto. Cilat do të jenë temat, për të cilat do të bisedohet në takimet e ardhshme?
Në takimin e ardhshëm, që do të mbahet javën tjetër, do të bisedojmë për lëvizjen e lirë të qytetarëve, por edhe të automjeteve. Me fjalë tjera, do të shtrojmë çështjen e njohjes së dokumenteve të udhëtimit, pasaportave të Kosovës, targave të automjeteve, diplomave shkollore, si dhe do të vazhdojmë me temat e hapura nga takimet e mëparshme, siç janë çështja e telekomunikacionit dhe energjisë. Pastaj, do të shtrojmë përsëri çështjen e vulave të doganave për kufirin midis Kosovës e Serbisë, ku ne kërkojmë që Serbia tashmë t’i njohë vulat e Kosovës, si dhe të fillojë një simetri në marrëdhëniet tregtare. Tash për tash, gjendja është asimetrike; përderisa Serbia mund të eksportojë mallra në Kosovë, Kosova ende nuk mund të eksportojë dhe kjo situatë nuk mund të mbahet si e këtillë. Ose do të kemi reciprocitet, ose situata mund të shkojë në drejtimin e padëshiruar. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se nëse gjatë këtyre bisedimeve, Beogradi kërkon diçka specifike për serbët në veri të Kosovës, atëherë edhe pala shqiptare do të kërkojë të njëjtën gjë për shqiptarët që jetojnë në jug të Serbisë. A është diskutuar ende rreth kësaj çështjeje?
Siç ju thashë në fillim të intervistës, ky është dialog me karakter teknik dhe në të nuk do të hapen temat politike. Kjo pyetje ka të bëjë me temat politike dhe ky nuk do të jetë objekt i dialogut. Pra, dialogu përqendrohet në problemet praktike të krijuara me ndërhyrjen ilegale të Serbisë në disa fusha dhe në disa pjesë të Kosovës dhe që është koha që Serbia të tërhiqet. Ndërkohë, përmes dialogut, ne do të ofrojmë zgjidhje për dhënien e shërbimeve sa më të mira, sidomos për serbët e pjesës veriore që sot e kësaj ditë kanë mbetur peng i ndërhyrjeve të Serbisë, si dhe do të kërkojmë tërheqjen e të gjithë operatorëve apo veprimtarive ilegale nga Kosova, përfshirë edhe zhbërjen e strukturave paralele. A mendoni se këto bisedime po ndikojnë në njohjet e reja për Kosovën?
Përkundrazi, unë mendoj se pjesëmarrja e Kosovës në këtë dialog teknik, e para, i jep një sinjal të qartë bashkësisë ndërkombëtare se ne jemi një shtet i ri, por jemi shtet serioz në kuptimin e pranimit të përgjegjësive ndërkombëtare.
Dialogu teknik ka ardhur si obligim ndërkombëtar nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e OKB-së e shtatorit 2010, është mbështetur nga Bashkimi Evropian, nga Shtet e Bashkuar të Amerikës dhe ne kemi pranuar këtë obligim ndërkombëtar. Dhe, nga ana tjetër, ne po zbatojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila zotohet që në politikën e jashtme do të jetë partner që do të kontribuojë në stabilitet dhe paqe, do të ndërtojë fqinjësi të mirë, si dhe do të jetë një shtet, që në aspiratën për integrimet euro-atlantike do të zgjedhë rrugët më konstruktive dhe do t’i përmbushë standardet.
REL