English

Fushatë e vonuar e një kandidati të vonuar

Nga Sokol Balla

“Vendi është i lodhur nga konfliktet, është i lodhur nga politika e përbaltjes”. Kështu fliste të premten një zëdhënëse e fushatës së Partisë Demokratike për Tiranën. Të mos njihje personin në fjalë (Jorida Tabaku), do të mendoje se ky tekst ka dalë nga zyra e shtypit e Partisë Socialiste. Ton i qetë, modest, gati-gati viktimizues. Gati gati të kujtonte reagimin e Edi Ramës në takimin me të rinjtë në Pub Venue, ditën që një e përditshme nxorri fotot e tij nudo në vitin 2007: fytyrë e përvuajtur, viktimë “par exellence” e persekutimit të regjimit.

Në fakt taktika e re e këshilluar nga firma amerikane që po kujdeset për fushatën e Berishës dhe Bashës, duket se është një risi për Partinë Demokratike: ata ndryshuan kolonën zanore të zgjedhur nga Berisha – ndoshta me sugjerimin e ndonjë këngëtari që është anëtar i Këshillit Kombëtar – madje duke e cilësuar atë si “muzikë funerali”. Ata këshilluan që posterat të jenë të thjeshtë dhe të reflektojnë përulje, modesti, bile deri diku varfëri. Perfekte. Por jo për fushatën e PD.

Edhe sikur PD të mos bëjë asnjë fletëpalosje, asnjë banderolë, asnjë shirit e flamur blu, e asnjë reklamë pompoze, a mund të besojnë shqiptarët se PD nuk është parti në pushtet prej gjashtë vjetësh, por ca barktharë që kanë prioritet qytetarët? A nuk ishte kjo parti që dy vjet më parë, vetëm brekë ngjyrë blu nuk shpërndau nëpër Shqipëri? Nuk ishte kjo parti që kaloi gati me tre herë kohën e reklamës së paguar në ekranet shqiptare? “Shqipëria po ndryshon” do hyjë në histori, si fushata më e pasur e një partie politike shqiptare, bile ndoshta më shumë se “Vizion 2000 – me në fitojnë të gjithë” e vitit 1996. E vetmja gjë që duket e ndryshme, është firma amerikane që po bën fushatën e PD, e cila duket nuk e ka fare idenë se çka ndodhur dy vjet më parë. Kjo për PD.

Tani vijmë tek fushata e Bashës.

“Edi Rama nuk është armiku ynë, ai ka bërë ndonjë punë të mirë në krye të herës…”. Kjo ishte fjalia që mund të shenjojë gjithë fushatën e zotit Basha. Ose më saktë, që do ta shenjonte në kushte normale. Kur ai të mos paraqitej siç e paraqiti Berisha ditën e enjte në Klan, jo thjesht si beniaminin e tij, por si birin e tij shpirtëror, aq sa xhelozoi gazetarin, e cili – siç shkruanin gazetat në zbardhjen të nesërmen – u mërzit se mori vesh se nuk kishte qënë Berisha, por Basha, që kishte sjellë NATO-n, bashkuar infrastrukturisht kombin dhe hequr vizat. E sikur të vazhdonim me këtë logjikë, Lulzim Basha sigurisht që do të kishte qenë kandidati perfekt. Por kandidat që do lindte, jo pas 21 janarit, për të cilin deri tani ka ngurruar të dëshmojë para një paneli të opinionit publik, por kur u hoqën vizat, në tetë nëntor 2011.

Ditën kur 79 vjet më parë kishte shkëlqyer një yll tjetër i lidershipit shqiptar, Enver Hoxha. Por nuk ishte e thënë. Edhe Enver Hoxhën, në mbledhjen themeluese të PKSH, e çoi Koço Tashko, por ai diti të shkëputej prej tij, bile edhe ta asgjësonte në rrugën e tij në krye të pushtetit. Basha në 21 janar dha provën e forcës të besnikërisë dhe të vetësakrificës. Dhe këtu ai nuk ngjan dot, jo me Enver Hoxhën, por as me Edi Ramën, i cili eleminoi në rrugën e tij në krye të së majtës, fillimisht atë që e solli në Tiranë, pastaj atë që e çoi në krye të bashkisë. Lulzim Basha nuk i ngjan dot politikisht – fizikisht ndoshta po – Enver Hoxhës. Ai nuk bën dot fushatën e Ramës. Jo thjesht sepse vështirë të mendojmë që ai dhe partia e tij është e varfër. Por se askush nuk beson se brenda natës ai u shndërrua në një zog të vetmuar pa përkrahje dhe me identitet, me parrullën autonome “E bëj mirë se e bëj vetë”. Jo. Bile nga vetë njerëzit afër tij, pohohet se karta më e fortë e Bashës kryetar bashkie do të jetë bashkëpunimi me qeverinë qëndrore. Kjo me gjasë do të ishte e vërtetë. Por ama do të kishim Berishën që vendoste, ku, kur, sa do të investohet në Tiranë. Ku do të shtrohen rrugët, sa kate do ketë Kulla e filanit dhe e fistekut. Dhe këtu duket se na e vërteton edhe fushata e Bashës.

Ai premton ujësjellës, kanalizime dhe tramvaj. Sot, këto Edi Rama nuk i premton dot, se këto janë në dorë të qeverisë. Por ama fushata e Bashës në këtë pikë duhet të jetë e sinqertë e ta pohojë me zë të lartë: “Po, Tirana nuk do të bllokohet politikisht më. LSI do jetë me ne. Parkingjet do t’i bëjmë ne, dhe ja bllokuam Ramës jo prej Besos, se atë e fusim në xhep kollaj, po për shkak se nuk na pëlqente që ta bënte Rama. Edhe Xhaminë do ta bëjmë, po vetëm kur të vijmë ne, se kshu “e kena myll me çunat”. Edhe buxhet do ketë, edhe Kol Dervishi do e thërrasë këshillin, tani që edhe Dashin e futëm në xhep, pasi I futëm ca gjona në xhep”. Tiranasit vlerësojnë jo thjesht modestinë, por edhe sinqeritetin. Dhe PD duhet të jetë e sinqertë. “Të parët vini ju”, por para tiranasve, nuk është Basha, por Berisha. Njerëzit pastaj të zgjedhin nëse duan Berishën apo Ramën, qoftë në nivel local, qoftë kombëtar.

Në gjithë këtë analizë të thjeshtë faktesh, unë nuk po radhis 21 janarin, që vështirë të prodhojë vota për qeverinë dhe kandidatët e saj lokalë, e aq më pak në Tiranë. Në këtë analizë përjashtoj si të pavend edhe kritikën që po i bëjnë familjes së Bashës, së paku për akuzën se gruaja ka pasaportë holandeze, se kjo nuk ka qënë faktor negativ për Ramën, i cili në një nga periudhat e karrierës së tij të suksesshme në Tiranë, ka pasur një partnere gjermane. Pasaporta holandeze e gruas së Bashës do të ishte një kritikë luksi, e denjë për kandidatin e bashkisë së Utrehtit, jo për kandidatin që duhet në debatin e tij të parë televiziv, të japë llogari gjatë, gjerë e me hollësi, se çfarë roli pati apo nuk pati në 21 janar, se pse firmosi letrat e Rrugës së Kombit sipas ligjit anglez, se përse firmosi Marrëveshjen kufitare me Greqinë, dhe nëse është e vërtetë, se nuk ka qënë Berisha, por ai vetë, që na hoqi vizat e na futi në NATO.

Basha do të ishte kandidati perfekt. I një kohe tjetër. Në një vend tjetër. E padyshim me një mendje ndryshe. E nëse nuk arrin të kopjojë atë bëri dy vjet më parë në Elbasan, me shokët e tij policë, ka gjasë që të marrë një notë vlerësuese jo aq optimiste për të nga Tirana.

I vetmi ngushëllim është se, nëse ndodh, nuk është faji i tij. Nëse Luli humb, ai ka gjithë të drejtën të dalë, të bërtasë, të ulërasë:

Të gjithë fajin e ka Saliu!

Revista “Mapo”

KOMENTE