English

Jo betonizimit të Pogradecit, projektet për mirëqenie në qytetin e liqenit

Pogradec, 9 prill 2011, NOA – Mbrëmjet e Pogradecit nuk do të mbeten të zymta dhe jeta kaq e varfër. Ka shumë probleme të shkaktuara dhe të rënduara gjatë 8 viteve të shkuara dhe me to nuk merret askush. Nuk mund të lejojmë që një qytet të betonizohet me shpejtësi të frikshme, nuk të lejojmë që një pjesë e madhe e qytetit të mbetet e braktisur...

Nga Luan Topçiu

Unë jam Luan Topçiu dhe do të bëhem kryetar Bashkisë së Pogradecit. Jetën time e kam lidhur me këtë qytet për 40 vjet.

Ka kaq shumë gjëra që na bëjnë krenar për Pogradecin. Ne jemi qyteti më i bukur i jugut të Shqipërisë, jetojmë buzë një liqeni nga më të bukurit në botë, ne i kemi falur kulturës kombëtare elita të dorës së parë, por shpesh kemi bërë zgjedhjen e gabuar.

Qyteti i qytetarëve modestë e punëtorë, mikpritës e bujarë, qyteti i traditave të shkëlqyera qytetare meriton nj fat më të mirë. Pogradeci nuk të mbesë qyteti që nuk ndodh asgjë.

Mbrëmjet e tij nuk do të mbeten të zymta dhe jeta kaq e varfër. Ka shumë probleme të shkaktuara dhe të rënduara gjatë 8 viteve të shkuara dhe me to nuk merret askush. Nuk mund të lejojmë që një qytet të betonizohet me shpejtësi të frikshme, nuk të lejojmë që një pjesë e madhe e qytetit të mbetet e braktisur. Harresa, braktisja, indiferenca ndaj qytetarëve nuk mund të jetë rruga e vetme. Mungesa e vizionit nuk mund të jetë rruga e vetme. Verbëria nuk mund të jetë rruga e vetme.

Varfëria është kërcënuesja kryesore e familjes dhe komunitetit pogradecar. Zhvillimi ekonomik dhe punësimi janë prioritete të luftës sonë. Do mposhtim varfërinë me investime dhe punësim. Qëllimi i programit tonë është kalimi nga faza e mbijetesës në atë të mirëqenies. Do të luftojmë për thithjen e investimeve të drejtpërdrejta nga biznesi pogradecar, kombëtar dhe ndërkombëtar. Bashkëpunimi i ngushtë me qeverinë shqiptare, rritja e sasisë dhe cilësisë së shërbimeve, pozicionimi strategjik do të rrisë punësimin, do të ulë varfërinë dhe do të shtojë mirëqenien. Do të dëshmojmë hapje, kompetencë, seriozitet dhe vetëbesim.

Kemi ambicien të jemi qyteti më i rëndësishëm i Shqipërisë juglindore që konkurron fuqishëm në hapësirën shqiptare dhe evropiane me investime, fonde, zhvillim ekonomik, arsimor, kulturor, turistik dhe mediatik.

Ngritja e Pogradecit në statusin e një qendre rajonale është objektivi ynë afatmesëm. Jemi të vendosur ta bëjmë kalimin nga një qytet i vogël me një turizëm sezonal në një qendër urbane me zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, me cilësi jetese, mbrojtje sociale, shërbime shëndetësore cilësore, arsim dhe standarde evropiane.

Shfrytëzimi i bukurive natyrore, i investimeve dhe i kompetencës njerëzore është formula që do të garantojë suksesin. Do ta çlirojmë bashkinë nga interesat private dhe klanore. Bashkia do të jetë institucioni ku respektohet pa diskriminim interesi privat dhe promovohet interesi publik.

Do t’i kultivojmë rinisë besimin tek puna dhe suksesi. Kemi prioritet stimulimin e investimeve, ndërtimit, tregtisë, turizmit , arsimit dhe shëndetësisë. Ne, bashkinë nuk e shohim si vendin ku administrohet e sotmja por edhe si vendin ku projektohet e ardhmja. Jam bir i këtij qyteti dhe ndjej detyrimin të vihem në shërbim të tij dhe të bashkëqytetarëve të mi.

Shëtitorja Lin-Pogradec-Tushemisht, që do të nisë nga qeveria shqiptare është një investim strategjik dhe më i rëndësishmi i kësaj treve, gjatë gjithë historisë së saj, për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës. Do të bëjmë të njohur në nivel kombëtar e ndërkombëtar historinë antike, mesjetare dhe bashkëkohore të këtij qyteti.

Do të luftojmë të fitojmë statusin e vendit më tërheqës për aktivitetet kulturore, politike, artistike, diplomatike etj.

Do të ruajmë parametrat evropianë për ndërtim, hapësirat publike, terrenet sportive, kopshtet dhe shkollat. Do të përdoren të gjitha mundësitë për të zgjedhur zgjidhje optimale për të urbanizuar zona që nuk e kanë ndjerë asnjë herë dorën e bashkisë të qytetit dhe në radhë të parë do të bëjmë ndërtminin e rrugëve.

Do të investojmë çdo ditë në mrekulli të vogla që të krijojmë mrekullinë e madhe pogradecare. Pogradeci duket i vendosur të fillojë i bashkuar epokën e sfidave për mirëqënie dhe zhvillim. Sot fillon era e ndryshimit për Pogradecin. Është koha jo vetëm të realizojmë ëndrrën tonë por edhe të zgjedhim dikë që do të punojë për të.

Në 4 vitet e ardhshme do të hapim 3 mijë vende pune, do të asfaltojmë 20472 metër linear që figurojnë të pashtruar në këtë qytet, do të riparojmë 11526 metër linear rrugë të prishura që figurojnë në këtë qytet.

Do të sigurojmë brenda 6 muajve planin e zhvillimit urbanistik të Pogradecit në harmoni me komunat fqinje.

Do të ndërtojmë terminalin i autobusëve dhe do të disiplinojmë qytetin nga kaosi i lëvizjes së automjeteve. Do të ndërtojmë një rrjet muzesh arkeologjikë, etnografikë, të arteve pamore dhe muzeun e specieve të liqenit të Ohrit.

Do të ndërtojmë 2 shkolla të reja dhe tre kopshte brenda këtij mandati. Do të bëjmë çdo lagje të banueshme me pamje të qytetëruar, me shërbime të qytetëruara, me çdo qytetar në çdo hap të jetës së tij. Ne do të punojmë së bashku për të realizuar të gjitha këto. Ne kemi projektin evropian të shekullit të 21-të.

*Fjala e kandidatit për kryetar bashkie të Pogradecit të “Aleancës për qytetarin” Luan Topçiu gjatë prezantimit të tij

KOMENTE