E diel, 9 prill 2011, NOA- Komisioni Europian, Departamenti i Ekonomisë dhe Çështjeve Financiare, me raportin e tij të sapo nxjerrë, vlerëson performancën e ekonomisë shqiptare.
Në këtë raport analizohen rregullisht, performanca e ekonomive evropiane për 3-mujorin e fundit të vitit 2010, me titull “Vendet anëtare të BE dhe vendet në prag të hyrjes”, ekonomia në tremujor.
Ky raport e vendos përsëri, në vendet e para, në një sërë treguesish ekonominë shqiptare.
Ai e rendit, atë në krye të vendeve evropiane si të vetmen me rritje të madhe ekonomike dhe në periudhën e krizës botërore dhe pas saj.
Sipas vlerësimit të 3-mujorit, ekonomia e Shqipërisë është e vogël por në vrap zhvillimi, përmendet që në pjesën hyrëse të raportit si shembull dallimi, në disa tregues.
Në përmbledhjen e përgjithshme të situatës ekonomike të vendeve të Europës, akoma jo anëtare të BE-së, ky raport shprehet se trendi i rritjes është akoma negativ ose shumë i ulët në Ballkanin Perëndimor por vetëm Shqipëria mbeti përjashtim në rajon si vendi që kapërceu në kohën e krizës pa rënie gjatë 2010-ës.
Ndërkaq lidhur me papunësinë thuhet se ajo u rrit në shumë vende, ose u përmirësua në një farë mase në shumë pak vende.
“Kudo u vu re një hendek midis përmirësimit të situatës ekonomike dhe zhvillimeve në tregun e punës, me përjashtim të Shqipërisë, Jugosllavisë dhe Maqedonisë, ku papunësia u ul dhe pse jo shumë në 6 mujorin e dytë të 2010-ës”, thuhet në raport.
Lidhur me krizën botërore thuhet se ajo rëndoi aktivitetin dhe performancën e sektorit financiar, duke ulur kreditimin edhe në Shqipëri, por kjo e fundit, përsëri mbeti vendi me rritjen më të madhe ekonomike në rajon.
Theksohet gjithashtu edhe ulja e deficitit në vend, ku Shqipëria theksohet se e ka ulur ndjeshëm atë në masën 58%.
a.y/NOA