Zyrih, 9 prill 2011, NOA – Demonstratat historike studentore në Kosovë, ishin fillim-shkatërrimi i ish-Jugosllavisë dhe stuhia e prishjes së themeleve pushtuese sllave të vendosura dhunshëm nga Serbia mbi trojet tona autoktone shqiptare. Pikënisje e të gjitha këtyre arritjeve fatlume ishin pranverat e demonstratave studentore që nga viti 1981, të cilat sot në 30 vjetorin e tyre, me nderim kujtohen kudo në vend dhe mërgim...
Nga Gani Qarri
Demonstratat historike shqiptare, të cilat në vitin 1981 shpërthyen në Kosovë, ishin lëkundje të fuqishme të tërmeteve shumë ballëshe, nga stuhia e cunamit të të cilave pëlcitën thellë, themelet hermetike serbosllave të betonuara përdhunshëm, mbi tokat tona arbërore.
Protestat studentore do të fillonin nga Studentët e Universitetit të Kosovës me 11 dhe do të vazhdonin me 26 Mars të vitit 1981 në Prishtinë, për tu kthyer me 1 dhe 2 Prill në demonstrata gjithë-popullore duke u përhap në gjithë hapësirat e Kosovës, dhe viseve tjera shqiptare.
Pranvera Studentore e Mars-Prillit të vitit 1981 do t’i gjente Shqiptarët në vazhdim-qëndresën e filluar nga pararendësit tanë atdhetarë që nga pushtimi i trojeve tona nga serbosllavia, e cila nuk do të ndalej asnjëherë, deri në çlirimin definitiv të Vendit. Në fakt, lufta për çlirimin e trojeve tona nga Turqia do të fillonte që nga formimi i lidhjes së Prizrenit me 10 Qershor të vitit 1878, për të vazhduar me përpjekje dhe luftëra të armatosura të pandërprera në pjesë të ndryshme të vendit për afro 34 vite me radhë,përmasa e të cilave do të rritej me 1909-1911 për të marrë karakter gjithëkombëtar dhe arrit kulmin e përpjekjeve çlirimtare me 28 Nëntor të vitit 1912 kur përfundimisht do të shpallej Pavarësia e Shqipërisë në Vlorë dhe do të përzihej përgjithmonë Turqia, nga trojet tona.
Por përkundër të gjitha luftërave dhe përpjekjeve tona kombëtare, fuqitë e mëdha në Konferencën e Londrës të vitit 1913, do të vendosnin për copëtimin definitiv të trojeve shqiptare,të cilat do të ndaheshin dhe pushtoheshin nga fqinjët tanë grabitqar,sllavë dhe grekë. Pushtimit sllav mbi tokat tona do të fillonte nga viti 1912, të cilit shqiptarët do ti përgjigjeshin me rezistencë e cila do të vazhdonte e pa ndalur asnjëherë nëpër vite dhe dekada,duke mos pranuar robërinë përmes të gjitha formave të mundshme,me luftëra dhe Demonstrata që do të vazhdonin dhe përsëriteshin kundër pushtuesit serb për të mos u ndërprerë kurrë,deri me 1999 kur edhe u arrit çlirimi definitiv i Kosovës.
Demonstratat historike studentore në Kosovë, ishin fillim-shkatërrimi i ish-Jugosllavisë dhe stuhia e prishjes së themeleve pushtuese sllave të vendosura dhunshëm nga Serbia mbi trojet tona autoktone shqiptare.
Gjendja e rëndë ekonomike e një pjese të madhe të popullit tonë dhe shtypjet e padurueshme politike mbi shqiptarët e të gjitha shtresave shoqërore,gjithandej trojeve tona etnike nën jugosllavi, ishte edhe shkaku fillestar i shpërthimit të Demonstratave historike shqiptare në ato vite,nga të cilat shpejtë do të konkretizoheshin fuqishëm- kërkesat kombëtare, për liri dhe pavarësi!
Kjo ishte edhe nisja e krijimit të Republikës së Kosovës, për realizimin e së cilës do të duheshin edhe 18 vite të tjera të gjata përpjekjeje e vetëflijimi me protesta të reja dhe demonstrata të mëdha deri te lufta heroike e UÇK-s për liri,e që me ndihmën e aleates sonë NATO-s, në Qershor të vitit 1999, do të arrihej edhe çlirimi i Kosovës.
Por megjithatë do të kalonin edhe disa vite me ndërrim e shndërrim pushtetesh të huaja mbi Kosovë, me tensione dhe pasiguri të gjendjes së sigurisë dhe asaj statusore të Kosovës,me demonstrata e pakënaqësi që në marsin e vitit 2004,do të shpërthenin në të gjitha anët,kur vetëm pas këtyre trazirave do të thyhej Status-QUO--ja e pakuptimtë e vendosur mbi vendin tonë,dhe do të vihej në lëvizje edhe Çështja e statusit të Kosovës,bisedimet për të cilin do të fillonin në shkurtin e vitit 2006 të cilat do të vazhdonin si bisedime e stërzgjatura deri në fundvitin e 2007-tës për të përfunduar si dështim bisedimesh me Serbinë!
Dhe pas kaq shumë vuajtjesh,pritjesh dhe sprovash, Evropa dhe Bota do të bindej se Kosova e meritonte pavarësinë,dhe më në fund, me 17 Shkurt të vitit 2008 Parlamenti i vendit do ta shpallte Kosovën si shtet të lirë, sovran dhe të Pavarur!
Pikënisje e të gjitha këtyre arritjeve fatlume ishin pranverat e demonstratave studentore që nga viti 1981 të cilat sot në 30 vjetorin e tyre, me nderim kujtohen,kudo-në vend dhe mërgim.
Lavdi studentëve të atyre pranverave historike dhe të gjithë shqiptarëve, anë e mbanë trojeve etnike që u sakrifikuan dhe kontribuuan në të gjitha format e mundshme për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës!