English

Milloshi: PS na ka shfrytëzuar, tani që jemi kundër ka frikë se humbet votat tona

Tiranë, 9 prill 2011, NOA- Partia Komuniste e Shqipërisë nën drejtimin e kryetarit të saj Hysni Milloshi ka hapur fushatën për zgjedhjet e 8 majit.

Baza dhe anëtarët e saj e kanë prezantuar atë si kandidatin më të denjë për të fituar Bashkinë e Tiranës.

“Unë kandidoj për kreun e Bashkisë së Kryeqytetit duke rrezikuar dhe autoritetin tim, mirëpo dhe autoriteti dhe emri im është një zero para emrin dhe autoritetit të Partisë Komuniste. Ne komunistët e dimë fortë mirë se në çfarë xhungle jetojmë dhe punojmë

ashtu sikurse dimë shumë mirë se në këtë xhungël mjaltin e hanë arrëzat dhe arinjtë, por dhe ne kemi guximin si armën më të madhe sikurse Gjergj Elez Alia apo Vojo Kushi”, u shpreh ai para elektoratit komunist.

Ai shtoi se komunistët e mbajnë fjalën e dhënë dhe për këtë arsye duhet të fitojnë, duke kërkuar votën e të papunëve dhe të pashpresëve nga partitë e mëdha.

Më tej ai shtoi: “Unë do të propozoja që dy kandidatët e tjerë Basha dhe Rama së bashku dhe unë të dilnim në një debat ashtu sikurse i ka hije vendeve me demokraci të zhvilluar dhe të flisnim për alternativat që ne japim dhe më pas këtë ta vendoste populli”.

Milloshi deklaroi se Partia Socialiste shumë herë ka fituar nga votat komuniste dhe me kodin e kaluar ajo dilte në balotazh dhe më pas i fitonte garat pikërisht nga këto vota.

“Si ka mundësi që ne na thuhet që do të ndihmojmë Sali Berishën sot në zgjedhjet vendore dhe nesër në ato të përgjithshme. Ne dalim në këto garë jo për të ndihmuar Sali Berishën por sepse ne boll kemi duruar 20 vjet dhe tani PS-ja ka frikë se mos humbet votat e komunistëve”, u shpreh kryetari i Partisë Komuniste.

a.y/NOA

KOMENTE