Tiranë, 9 prill 2011, NOA- Dita e diel do të karakterizohet nga kushte të qëndureshme atmosferike në të gjithë Shqipërinë.
Moti i kthjellët do të dominojë që në orët e para të mëngjesit në të gjithë vendin por duke ju afruar mesditës parashikohet të ketë kalime vranësirash të lehta në zonat malore.
Shqipëria
Sipas MeteoAlb, pjesa e dytë e ditës do të vijojë me kthjellime në ultësirën perëndimore dhe të gjithë vijën bregdetare ndërsa zonat malore do të dominohen nga kthjellime dhe vranësira kalimtare.
Vranësira më të theksuara do të ketë në zonat juglindore. Në mbrëmje dhe gjatë natës vranësira dhe shirat do të largohen nga zonat Juglindore duke bërë që i gjithë vendi të jetë nën ndikimin e motit të kthjellët.
Temperaturat e ajrit do të qëndrojnë konstante në mëngjes por mesdita do të sjellë 2 gradë rënie të temperaturave në të gjithë vendin.
Era do të fryjë mesatare në tokë dhe e fortë në det me shpejtësi 40 km/h dhe drejtim Perëndimor- veriperëndimor, ndërsa dallgëzimi në Adriatik dhe në Jon do të jetë 3 ballë.
Europa
Europa veriore dhe verilindore do të dominohen nga vranësira të dendura dhe reshje shiu e dëbore, më të përqendruara do të jenë në Suedi, Norvegji dhe Rusi.
Po ashtu vranësira dhe shira do të ketë sërish në vendet e Balltikut, por me intensitet disi më të ulët. Europa Qendrore do të ketë probleme me mjegullën e dendur në orët e para të mëngjesit por parashikohet që të largohet gjatë ditës, ndërsa e gjithë pjesa tjetër e kontinentit Europian do të karakterizohet nga moti i kthjellët dhe vranësira kalimtare. Rajoni i Mesdheut si dhe gadishulli i Ballkanit do të mbeten me kthjellime dhe temperatura të larta.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Vendet e Balltikut rrezikojnë reshje shiu dhe stuhi ere
- Norvegjia, Suedia alarmojnë reshje shiu e dëbore dhe shkarkesa rrufesh
- Rusia alarmon për rrebeshe shiu dhe temperatura të ulëta
a.y/NOA