English

PD: Fitorja nis me Dibrën e përfundon me Tiranën

Peshkopi, 9 prill 2011, NOA - Partia Demokratike si pjesë e koalicionit “Aleanca për qytetarin” çelën zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 8 Majit duke prezantuar si kryetar të Bashkisë së Dibrës kryetarin aktual Ilir Krosin. Ministri i Arsimit dhe Shkencës dhe deputet i Dibrës Myqerem Tafaj duke prezantuar ilir Krosin deklaroi se Dibra ashtu si edhe në dy zgjedhjet e shkuara vendore edhe në 8 maj do t’i japë fitoren Partisë Demokratike duke shënuar një humbje të turpshme të Partisë Socialiste, që sikundër ironizoi Tafaj me parrulën që ka zgjedhur po tregon se ka hyrë në një rrugë pa krye në rrugën e destabilitetit dhe të mosnjohjes së zgjedhjeve vendore.

Ministri Tafaj theksoi se MASH-i e ka mbështetur fort Dibrën duke theksuar se ministria do të investojë për ndërtimin e një gjimnazi të ri, pasi mjediset e atij aktual do të lirohen për Universitetin e qytetit.

“Filiali i Peshkopisë në vartësi të universitetit të Durrësit, së shpejti do të fitojë statusin dhe do të bëhet Universitet më vete”, premtoi Tafaj.

Në zgjedhjet e shkuara vendore në Dibër, Partia Demokratike ka qeverisur në 14 komuna dhe në bashkinë e Peshkopisë, kundrejt vetëm një komune që u fitua nga të majtët.

Gjatë prezantimit të kandidatëve për njësitë vendore të Dibrës merrnin pjesë edhe deputetët e qarkut Jemin Gjana, Sherefedin Shehu, Selami Xhepa, Bedri Hoxha si dhe drejtues të partive aleate.

Deputeti Gjana gjatë prezantimit të kandidatëve deklaroi se “fitorja e Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 8 majit fillon me Ilir Krosin në Dibër dhe mbaron me Lulzim Bashën në Tiranë”.

Kryetari i bashkisë së Peshkopisë Ilir Krosi, i cili kandidon për mandatin e 3-të të tij tha se në mandatin e ardhshëm do të realizohen shumë projekte në infrastrukturë, arsim, kulturë dhe punësim, të cilat janë në proces tenderimi.

mit/NOA

KOMENTE