E diel, 9 prill 2011, NOA- Ari shitet aktualisht me çmim të lartë. Kryesisht në Evropë investuesit e kërkojnë metalin e rrallë, nga frika e inflacionit. SHBA e sheh me sy kritik Evropën dhe Greqinë. Por situata buxhetore nuk është aspak më e mirë.
Ben Bernanke, shef i Bankës Qendrore të SHBA, u ra sërish këmbanave të alarmit. Në një seancë dëgjimore në Uashington, ai deklaroi:
“Edhe sikur gjendja ekonomike dhe tregu financiar të normalizohen sërish, buxheti federal duket se ndodhet në një kurs të paqendrueshëm, po të mos merren masa të tjera politike”, është shprehur ai.
Kjo shpjegohet sepse deficiti në buxhetin e SHBA ka përmasa gjigante, dhe para së gjithash: ai rritet pa ndërprerje. Rreth 13 bilionë dollarë është borxhi publik aktualisht. Kjo do të thotë, shteti ka ngarkuar me borxh çdo qytetar të SHBA, që nga bebet deri te pleqtë, me më shumë se 40.000 dollarë. Problemi: vetëm interesat për këto borxhe janë ndërkohë kaq të larta, sa edhe me një rritje të shëndetshme ekonomike do të ishte e vështirë të përballoheshin. Shteti do të zhytet vitet e ardhshme gjithnjë e më shumë në borxhe. Paraprakisht, qeveria e SHBA-së e ngriti kufirin e sipërm të lejimit të marrjes së borxheve në shkurt në 14,3 bilionë dollarë.
Reduktimi i borxheve kërkon marrjen e masave të pakëndshme
Si shkaqe për shpenzimet në rritje, shefi i Bankës Qendrore përmendi shpenzimet e shtuara për shërbimin shëndetësor dhe një popullatë, që rritet në moshë. Prandaj duhet të merren vendime të pakëndshme:
"Kongresi, qeveria dhe populli amerikan duhet të vendosin, nëse dhe cilat shërbime shtetërore të tilla si sigurimet shëndetësore dhe sociale duhet të modifikojnë, nëse i kufizojnë detyrat publike në sektorë të tjerë dhe nëse duan të paguajnë taksa më të larta ose një kombinim të të gjithave."
Reforma e shëndetësisë e shpallur para pak kohësh nga presidenti Obama nuk mjafton në asnjë mënyrë për të përballuar shpenzimet në rritje në fushën e shëndetësisë. Ligji ka humbur shumë nga fuqia e tij potenciale e kursimit, në rrugën e tij të mundimshme përmes Kongresit. Kjo në një kohë, kur vetë Obama pati premtuar se nuk do t'i rëndonte familjet me të ardhura nën 250.000 dollarë.
Ende vazhdon të shfaqet drojë përballë masave drastike që duhen marrë, dhe nëse në plan afatgjatë llogaria me to del më e shtrenjtë.
Gjithsesi, Prresidenti ngriti një komision, i cili duhet të bëjë propozime për një politikë të përgjegjshme fiskale. Shefi i Bankës Qendrore, Bernanke, i paraqiti shpjegimet e tij në mbledhjen e parë të komisionit.
Por Robert Shapiro, këshilltar joformal i Presidentit për çështjet ekonomike, nuk e sheh kaq dramatike gjendjen në SHBA. SHBA nuk duhet të shqetësohet për borxhet, në plan afatmesëm.
"Borxhet tona janë sa rreth 50% e produktit të brendshëm bruto. Sikur të mbledhim borxhet e institucioneve tona qeveritare, si Banka Qendrore dhe Fondet e Sigurimit social, borxhet arrijnë në 60%. Ekonomia e SHBA -së mund ta përballojë këtë plotësisht”, deklaroi Shapiro.
Dhe nga inflacioni nuk duhet të ketë frikë njeri, thotë ish-sekretari i shtetit për ekonominë i qeverisë Clinton. Sasia e parave është rritur prej kohësh në mënyrë të konsiderueshme, pa shkaktuar zhvlerësimin e monedhës. Sipas tij ka faktorë, të cilët e kanë penguar këtë:
"Para së gjithash globalizimi, i cili e ka rritur konkurencën dhe përmes të cilit u krijuan në të gjithë botën qindra mijëra firma të reja, të cilat përmes përparimit teknologjik u detyruan të jenë më efiçente. Kjo konkurrencë ka vepruar kundër inflacionit, të paktën në tregjet klasike. Inflacioni u përcoll në tregjet e kapitalit - dhe kështu u krijuan midis të tjerash edhe flluskat."
Edhe masat në politikën financiare, të cilat duhet t'i marrin tani shtete si Greqia, por edhe Italia, Spanja dhe Irlanda veprojnë sipas Shapiros kundër inflacionit.
Megjithatë, pasojat e shpenzimeve shumë të larta të shtetit, të cilat kanë qenë të nevojshme për të shpëtuar institutet financiare dhe për t'i dhënë hov ekonomisë, si dhe shpenzimet e larta për sigurimet sociale e bëjnë padyshim të nevojshëm një ndryshim të politikës shtetërore të shpenzimeve. Po të nisë për to një debat këtë vit, ai mund të luajë një rol të rëndësishëm në vitin elektoral presidencial 2012. Po të gjendet atëherë një kompromis kombëtar për masa të nevojshme, këto masa do të vihen në jetë në vitin 2013.
"Ky afat është brenda kuadrit të përshtatshëm kohor. Me kusht që të mos ketë një krizë tjetër financiare."
Eksperti i financave thotë se shtetet nuk do të mund ta financojnë edhe njëherë aktin masiv të shpëtimit. Por një gjë është e qartë, dhe këtë e pranon edhe Shapiro: në plan afatgjatë malet e larta të borxheve nuk mund t'i përballojnë as SHBA.
DW/NOA