Tiranë, 9 prill 2011, NOA- (Update) Zv.ministri i Brendshëm Ferdinand Poni deklaroi sot se janë dorëzuar listat përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet e 8 majit 2011 në të gjitha KZAZ në vend.
Ai tha se kjo dalje e tij vjen në përputhje me Kodin Zgjedhor, pas datës 8 prill ku dhe shënohet përfundimi i procesit të hartimit dhe përfundimit të listës së zgjedhësve në të gjithë Shqipërinë.
Poni tha më tej se këto lista u janë dërguar të gjithë kryetarëve të njësive vendore për t’i nënshkruar, proces ky që ka zgjatur këto dy tre ditë.
“Sot që flasim mund t’ju themi se: Shqipëria ka në listën përfundimtare të zgjedhësve 3164 859 zgjedhës, të ndarë këta në 4932 qendra votimi.
Më konkretisht Qarku i Beratit ka 172 664 zgjedhës në 329 qendra, Dibra 124 471 zgjedhës në 318 qendra, Durrësi 300 902 zgjedhës në 364 qendra, Elbasani 309 479 zgjedhës në 556 qendra votimi, Fieri 362 727 zgjedhës në 530 qendra, Gjirokastra 121 360 zgjedhës në 290 qendra, Korça 268 045 zgjedhës në 429 qendra, Kukësi 73854 zgjedhës në 221 qendra, Lezha 153 412 zgjedhës në 251 qendra, Shkodra 243 508 zgjedhës në 414 qendra, Tirana 749 246 zgjedhës në 879 qendra dhe Qarku i Vlorës 285 191 zgjedhës në 351 qendra votimi”.
Sipas tij lista përfundimtare e zgjedhësve ka gati 23 mijë zgjedhës më pak se lista paraprake.
Ai shtoi gjithashtu se, lista paraprake ka pasur 3 188 059 zgjedhës por i është nënshtruar pastrimit të dublikimeve, heqjes së mbi 100 vjeçarëve, heqjes së personave që kanë lënë shtetësinë, duke e bërë listën përfundimtare të zgjedhësve të një cilësie dhe standardi të lartë.
Poni theksoi se, ky proces kompleks që kërkonte në mënyrë fondamentale edhe kontributin e të zgjedhurve vendorë të bashkive e komunave, ka një produkt final, një produkt strikt në kohë, dhe që reflekton në mënyrë të qartë të gjitha operacionet e bëra për t’i dhënë listët së zgjedhjeve të 8 majit cilësinë dhe standardet më të larta.
Zv.ministri Poni përfundoi duke thënë se, “Lista sapo të konfirmohen zyrtarisht nga të gjithë kryetarët e njësive vendore në variantin elektronik dhe me shkresë, jo më vonë se 24 orë nga konfirmimi i të gjithë kryetarëve do të ngarkohet në internet në faqet zyrtare të tre institucioneve ku është shpallur lista paraprake, të Ministrisë së Brendshme, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile”.
a.y/NOA