Tiranë, 9 prill 2011, NOA, Update – Lideri i opozitës Edi Rama dhe kandidati për të katërtin mandat në Tiranë deklaroi sot se Tirana nuk ka nevojë për një Sali në qeveri e një tjetër Sali në Bashki. Duke prezantuar Jeta Seitajn si kanidate të “Aleancës për të ardhmen” në Njësinë bashkiake nr. 5 kryebashkiaku i Tiranës akuzoi ish krerët e bashkisë së Tiranës para tij se “Na e lanë Tiranën si mos o Zot më keq me një këshill bashkiak që mblidhej nëpër restorante. Sot kanë nxjerrë një kukull të Saliut për të kërkuar një votë, të cilën Tirana s’do t’ua japë kurrë atyre, që e bllokuan dhunshëm këshillin bashkiak, sepse duan ta marrin peng, siç kanë marrë Shqipërinë”.
Edi Rama deklaroi para mbështetësve të tij “Ta harrojnë Tiranën! Ajo do të rinisë të vrapojë drejt të ardhmes me të gjithë forcën e ambicjes të qytetarëve të saj pa dallim”.
Duke iu referuar premtimeve të kandidatit demokrat Lulzim Basha, kryesocialisti Rama i bëri thirrje kundërshtarëve se “në vend se të bëjnë premtime mashtruese me idera të kopjuara keq nga progami ynë i zhvillimit, nga progami ynë që e mbajnë në sirtar e me sa duket e kanë mbajtur për ta nxjerrë copa copa, arna arna si çdo gjë që kanë bërë e dinë të bëjnë, këta zotërinj duhet t’i japin llogari qytetarëve të Tiranës për keqqeverisjen e tyre”.
Rama theksoi se “Tirana ka sot nevojë për llogari nga Sali Berisha për faturat e papërballueshme, për çmimet e papërmbajtshme, për taksën e pamëshirshme të inflacionit, për vrasjet, grabitjet, gënjeshtrat dhe patjetër edhe për baltën e pafundme të urretjeve dhe të shpifjeve që kanë hedhur mbi punën tonë të papërtuar, mbi punën tonë që nuk ka ka rreshtur kurrë”, tha Rama.
Ndërsa kandidatja për kryetare e njësisë nr. 5 Jeta Seitaj u kërkoi ndjesë banorëve të kësaj njësie për bllokimin për mosrealizimin e investimeve në dy zona të kësaj njësie pas bllokimit të Këshillit të Bashkisë, pas bashkimit të votave PD-LSI.
“Në rrugët e Tiranës së re është gjithë historia e Shqipërisë. Të gjitha rrugët të emërtuara. Jam krenare për investimet e mëdha që janë bërë në Njësinë 5. Dy blloqe të mëdha janë rikonstruktuar së fundmi, dhe po vazhdon projekti i dytë te Irfan Tomini, duke vazhduar me parqet, këndet e lojrave për fëmijët, këndet e shplodhjes për moshën e tretë”, tha Seitaj.
Ajo i kërkoi banorëve të kësaj minibashkie që në 8 maj të votojnë Edi Ramën dhe Këshillat bashkiakë të opozitës.
“Kjo është e vetmja rrugë për zhvillim. Të çojmë në kutinë e votimit të gjithë shokë e miq, vetëm të bashkuar e mundim koalicionin e turpit”, apeloi kandidatja e “Aleancës për të ardhmen” për kryetare të minibashkisë nr.5 në Tiranë, Jeta Seitaj.
mit/NOA