Sofje, 9 prill, DW – Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolaj Mladenov tërheq 37 diplomatë të rangut të lartë nga bota e jashtme.
Autoriteti për aktet e sigurimit të shtetit të Bullgarisë kishte zhvilluar hetime ndaj qindra bashkëpunëtorëve të ministrisë së Jashtme dhe konstatoi në dhjetor të vitit të kaluar, se shumë ambasadorë dhe diplomatë bullgarë kanë punuar më parë për shërbimin informativ komunist.
Meqenëse tërheqjen e diplomatëve nuk e bëri presidenti Parvanov, siç e kërkon kushtetuta, ministri i jashtëm mori masat e tij.
Ministria e Jashtme bullgare tërhoqi 37 diplomatë të rangut të lartë nga bota e jashtme. Për ta është vërtetuar bashkëpunimi me sigurimin komunist të shtetit në Bullgari, bëri të ditur në Sofje zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, Wesela Çerneva.
Që në fund të vitit të kaluar, autoritetet e kontrollimit të dosjeve të sigurimit të shtetit verifikuan dosjet e 400 diplomatëve të lartë bullgarë dhe konstatuan se më shumë se gjysma e tyre, para kthesës politike patën punuar për shërbimin informativ, përkatësisht kundërzbulimin ushtarak komunist - midis tyre 37 ambasadorë aktivë.
Për këtë verifikim, ministria e Jashtme qe informuar, i tha Cerneva Deutsche Welles dhe shtoi: "Ne u çuditëm kur mësuam se me të vërtetë, deri 40 përqind e ambasadorëve tanë aktualë dhe përfaqësuesve të përhershëm vazhdojnë të jenë njerëz , të cilët kanë qenë të lidhur me ish-sigurimin e shtetit të regjimit komunist".
Që në janar 2011, Parlamenti i Sofjes pati vendosur që diplomatët me të kaluar bashkëpunëtori të sigurimit të shtetit nuk duhet ta përfaqësojnë më tej vendin e tyre në botën e jashtme.
Por diplomatë bullgarë të rangut të lartë mund të tërhiqen vetëm nga presidenti i shtetit, por ai deri tani kishte refuzuar tërheqjen e tyre. Vetë presidenti Georgi Parvanov akuzohet për bashkëpunim me sigurimin komunist të shtetit - komisioni për verifikimin e dosjeve të sigurimit të shtetit e konfirmoi këtë në vitin 2007.
13 ambasadorët e parë do të tërhiqen më 1 maj në Bullgari nga shërbimi i tyre në Berlin, Athinë, Pekin, Stokholm dhe te Kombet e Bashkuara në Nju Jork.
Një grup tjetër pritet të pasojë në 1 qershor. Ambasadorët e Sarajevës, Bernës dhe Vatikanit do të nxirren në pension para 30 qershorit, tha zëdhënësja e ministrisë së jashtme, Cerneva. Po kjo masë nuk ka lidhje me marrëdhëniet e Bullgarisë me vendet përkatëse, tha ajo.
Deutsche Welle