Tiranë, 9 prill, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi dje në Presidencë një takim të ngrohtë e miqësor me një grup të madh studentësh të departamentit të Shkencave Politike të Universitetit të Tiranës, si dhe me studentë të universiteteve të tjera publike dhe private të vendit, të cilët do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011.
Ai i përgëzoi të rinjtë studentë, të cilët për herë të parë do të votojnë në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011, duke vendosur në këtë mënyrë për herë të parë mendimin e tyre mbi politikën e partitë politike, dhe të zgjedhurit vendorë.
Ndërsa vetë studentët shprehën kërkesën që të rinjtë dhe e ardhmja e tyre duhet të trajtohen me përparësi në programet zgjedhore të partive politike, ndërkohë që duhet të shmanget aktivizimi pa kriter i tyre, për të mbushur sallat apo mitingjet elektorale.
“Sipas rregullit kushtetues, jemi në ditën e fillimit të fushatës zyrtarisht, fushatës elektorale për zgjedhjet e pushtetit vendor, pra, të pushtetit administrativ. Sot jemi në një moment kur demokracia na ka dhënë shanset që të votojmë të lirë. Sot ne i inkurajojmë që njerëzit të shkojnë të marrin pjesë në votim, sepse për fat të keq, shpesh herë ka edhe indiferencë. Indiferenca, unë nuk mendoj që shkon tek ata njerëz që janë të formuar. Duket sikur fatin tonë e kanë në dorë të tjerët. Jo, fatin tonë e kemi në dorë ne! Fatin e vet e ka në dorë çdo individ, çdo shoqëri në demokraci. Kjo është arsyeja që brezi juaj duhet të dijë ta vlerësojë jo thjesht ditën kur zhvillohen zgjedhjet, por duhet të dijë të arsyetojë dhe ta shfrytëzojë këtë periudhë, sepse do keni rast. Nuk jeni ju që do t’i kërkoni, janë vetë kandidatët që do t’ju kërkojnë, sepse ky është rregulli i partive politike”, tha Topi.
n.e/NOA