Shkodër, 10 prill 2011, NOA- Policia e Shkodrës ka vënë në pranga gjatë paradites së sotme tre persona të akuzuar për vjedhje të kabujve elektrikë.
Operacioni policor i koduar “Unaza në errësirë”, goditi një grup i strukturuar kriminal, për vjedhje dhe dëmtim të sistemit elektrik, të cilët në kohë dhe në vende të ndryshme kanë kryer vjedhjen e disa kabllove elektrikë, duke dëmtuar sistemin e elektrik në disa zona, të qytetit Shkodër.
Të ndaluarit mbajnë identitetet, Mirsad Dema, 30 vjeç, Fatjet Dema, 33 vjeç dhe Shpëtim Dema, 41 vjeç, që të tre banues në qytetin e Shkodrës.
Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se, të tre personat u arrestuan në flagrancë, në lagjen “Salo Halili”, të qytetit Shkodër, pikërisht në vendin e quajtur Unaza e Qytetit.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, tre të ndaluarit po vidhnin kabull elektrikë të asaj zone, duke dëmtuar kështu dhe ndriçimin e unazës së qytetit.
Nga ana e policisë sqarohet se, ky grup hajdutësh vepronte prej disa kohësh, duke vjedhur kabllot elektrike në lagjet “Salo Halili” dhe “Ahmet Haxhia”, në qytet.
“Vjedhje e kryer në bashkëpunim”, është vepra penale për të cilën akuzohen të ndaluarit, dhe për të cilën pritet që drejtësia të japë vendimin e saj.
a.y/NOA