Tiranë, 10 prill 2011,NOA- Kandidati i maxhorancës për kryebashkiak Lulzim Basha gjatë ditës së sotme i garantoi qytetarët se ai do të marrë masa për uljen e çmimeve.
Sipas tij, Tirana përballet sot me një rritje abuzive të çmimeve duke nisur nga ato më jetike për jetën e çdo qytetari siç është buka.
Në shumë raste rritja e çmimeve justifikohet me taksat e larta të vendosura nga Bashkia, deklaroi Basha.
Kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetar të Bashkisë së Tiranës, duke konstatuar personalisht çmime të ndryshme për të njëjtin produkt, garantoi qytetarët se Bashkia nuk do të qëndrojë indiferente ndaj rritjes së çmimeve.
“Sot paradite isha në Bashkinë e Kamzës. Kam blerë të njëjtën bukë 800 gram, për 60 lekë. Kjo është buka që kam blerë për 60 lekë dhe kjo është buka që bleva këtu për 80 lekë. Dëfrimi (furrëtari) më tha që edhe ai donte të shiste bukën me 60 lekë po të kishte mundësi, por taksat bashkiake këtu janë disa herë më të larta se në bashkitë dhe komunat përreth Tiranës. Bashkia nuk duhet të jetë arsyeja pse tregtarët rrisin çmimet. Ulja e taksave 2 deri në 5 herë, eleminimi i 60 prej taksave dhe tarifave vendore, do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në normalizimin e çmimeve që ka të bëjë direkt me xhepin e të gjithë qytetarëve të Tiranës”, tha Basha.
Më tej ai bëri të ditur se në programin e tij përveç uljes së taksave parashikohet edhe ngritja e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorëve.
“Një arsye e fortë për rritjen e çmimit janë spekulantët. Përballë këtij realiteti Bashkia nuk mund të rrijë duarkryq. Ndaj plani im është ngritja e një agjencie bashkiake për mbrojtjen e konsumatorin e cila do të investigojë, madje hulumtojë tregjet, pikat e shitjes, marketet kudo në Tiranë. Bashkia nuk do të ndërhyjë në mekanizmin e tregut të lirë por Bashkia nuk do të flejë më gjumë ndërkohë që qytetarët shkundin xhepat e tyre për të blerë produktet më të nevojshme për jetën”, deklaroi ai.
Ndërkaq ai bëri me dije se kontrollet që do të ushtrojë Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorëve do të bëhen publike për qytetarët në mënyrë që edhe ata të njihen me abuzuesit por edhe me shkaqet që çojnë në rritjen e çmimeve.
Momentalisht në krye të bashkisë së Kamzës, vend ku kandidati Basha zgjodhi për të bërë krahasimin e çmimeve është përfaqësuesi i maxhorancës Xhelal Mziu.
a.y/NOA