Durrës, 10 prill 2011, NOA- Gjatë ditës së sotme Bashkia e Durrësit së bashku me Shoqatën Kulturore “Ulqini’, organizuan disa veprimtari me karakter shkencor dhe kulturor në vlerësim të komunitetit ulqinak që banon në Durrës.
Nën moton “Dita e Ulqinit në Durrës”, u mbajt një sesion shkencor me tematikë “Ulqini, historia dhe traditat”, si dhe ekspozita me piktorë mjaft të njohur ulqinakë.
Për të marrë pjesë në këtë ngjarje të organizuar nga Bashkia e Durrësit, kanë qenë të pranishëm edhe mjaft zyrtarë të lartë të komunës së Ulqinit, që kryesoheshin nga Zenel Katana, i cili është këshilltari kryesor i kryetarit të komunës Ulqin, Gëzim Hajdinaga. Delegacioni ulqinak që shoqërohej nga kryetari i shoqatës kulturore Ulqini, Zihni Beqiraj, fillimisht është pritur në një takim të veçantë nga kryebashkiaku Vangjush Dako në ambientet e Bashkisë së Durrësit.
Në këtë takim kryebashkiaku vlerësoi bashkëpunimin midis Bashkisë dhe Komunës së Ulqinit, bashkëpunim i cili mbështetet edhe mbi një memorandum zyrtar të firmosur kohë më parë nga Kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako dhe kryekomunarit të Ulqinit, Hajdinaga.
Sipas Dakos, forcimi i lidhjeve midis shqiptarëve në të dy anët e kufirit, si dhe shkëmbimi i përvojës në fushën e turizmit është në themel të këtij bashkëpunimi. Kryebashkiaku nga ana tjetër ka vlerësuar posaçërisht kontributin e komunitetit ulqinak në Durrës në zhvillimin e qytetit, rritjen e vlerave të bashkëjetesës, si dhe forcimit të marrëdhënieve në plan kombëtar dhe lokal mes Durrësit dhe Ulqinit. Nga ana e tij, zoti Katana ka vlerësuar në mënyrë të veçantë rolin e kryebashkiakut Dako në forcimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes Durrësit dhe Ulqinit, në vlerësimin e komunitetit ulqinak për zhvillimin e Durrësit, si dhe në zbatimin në mënyrë konkrete të marrëveshjes mes Bashkisë Durrës dhe komunës së Ulqinit.
Dako ishte i pranishëm në të gjitha veprimtaritë e organizuara, ku ka ndarë edhe disa tituj nderi.
Me titullin "Nderi i Qytetit" është vlerësuar Fuat Bilali, ndërsa me titullin "Mirënjohja e Qytetit" janë vlerësuar familjet Peku, Molla dhe Truma, Isuf Fani dhe Melek Kalamishi (pas vdekjes). Me titullin "Mirënjohja Ulqinake", dhënë nga Shoqata Kulturore "Ulqini", janë vlerësuar Ramazan Beja dhe gazetari Artur Llanaj.
a.y/NOA