Bathore, 10 prill 2011, NOA – Incidentet gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit duket se s’do të kenë të sosur gjatë tërë muajit të fushatës. Pas incidentit të sotëm në Kashar ku dy vëllezërit Kamberi u goditën nga militantë të Partisë Socialiste, një tjetër incident mes militantësh të dy forcave politike PS-së dhe PD-së ndodhi pasditen e sotme të së dielës në zonën e Bathores në periferi të kryeqytetit.
Sipas burimeve nga vendngjarja përplasja ka ndodhur pas një incidenti me makina, kur një militant i Partisë Demokratike goditi me levë një militant të Partisë Socialiste.
Por, forca të shumta policie kanë rrethuar zonën e Bathores për të ndalur përplasjen mes militantëve të dy partive të mëdha.
Incidenti ka ndodhur ndërsa një grup militantësh të PS-së me flamuj janë grupuar për të shkuar më pas në një tubim elektoral, mandej ata janë bërë pjesë e një incidenti që sipas dëshmitarëve është shkaktuar nga militantët e PD-së.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe kreu i Partisë Socialiste për Tiranën Pjerin Ndreu, i cili i bëri thirrje policisë së shtetit të mos mbajë anën e askujt, por të zbatojë vetëm ligjin.
Po kështu mësohet se përfaqësues të Partisë Socialiste në Bathore kanë kërkuar të takohen me vëzhguesit e OSBE-ODHIR, duke i kërkuar edhe Drejtorit të Policisë së Tiranës Saimir Muça të marrë pjesë në këtë takim.
Ky takim është kërkuar për të qetësuar situatën në Kamëz mes militantëve të dy partive, një situatë që mori shkas nga tentativa e disa militantëve të PD-së për të hequr flamujt elektoralë të Partisë Socialiste.
mit/NOA