Korçë, 10 prill, NOA – Update – Kryeministri Sali Berisha deklaroi gjatë prezantimit të kandidatit të mazhorancës për Bashkinë e Korçës, Andrea Mano, se më 8 maj qytetarët do të ndahen nga alternativa e betonit dhe e rrugës së vetme të PS.
“Krahas kësaj alternative, që përpiqet t’u jap zgjidhje problemeve tuaja individuale dhe komunitare, ekziston një alternativë tjetër; aleanca e betonit. Me këtë material ndërtimi nuk kam asgjë, përveçse admiroj kur me të janë ndërtuar vepra të mëdha publike. Por kur zë hapësira gjelbërimi ai shëndrrohet në një tiran të vërtet. Kur ai mbisundon në rrugët dhe lagje tuaja, nuk ka më të pamëshirshëm dhe më shkatërrimtarë për pronat e qytetarëve. Nga aleanca e tij do të ndahemi më 8 maj”, tha sot Berisha.
Kreu i mazhorancës ka theksuar se 8 maji është dhe dita kur qytetarët do t’i japin përgjigjen e merituar ‘rikthimit të rrugës së vetme’ të liderit të opozitës.
“Z. Rama ka risjellë në skenën politike shqiptare hijen e vjetër së rrugës së vetme. Dhe kërkon t’u bind ju, qytetarëve të mençur të Korçës dhe mbarë Shqipërisë se rruga e tij e tij vetmisë, qenka rruga juaj më e mirë. Le t’i themi se secili prej nesh në këtë qytet ka rrugën e vet dhe s’ka nevojë për rrugën tënde. Mos mendo kurrë t’i marrësh tjetrin rrugën”, tha Berisha në lidhje me strategjinë e kundërshtarit të tij politik.
Duke vlerësuar ekonominë shqiptare, ai ka ftuar opozitën që të bëhet pjesë e reformave dhe të votojë ligjin për amnistinë fiskale.
“Ftojë opozitën të votojë ligjin e amnistisë. Të mos harrojë se biznesi është gjeneratori kryesor i punësimit dhe i të ardhmes së qytetarëve shqiptarë. Ndaj le të votojmë së bashku ligjin për të amnistuar detyrimet e tyre, sepse janë ata që bënë që Shqipëria nga një vend me ekonomi të falimentuar të qëndrojë si një ekonomi që vrapon”.
a.k/NOA