English

E plotë-Berisha në Korçë: Aleanca e betonit, tirani i qyteteve shqiptare

Korçë, 10 prill 2011, NOA- (Update) Kryeministri Sali Berisha gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, për bashkinë e Korçës, Andrea Mano u shpreh se, gjatë katër viteve të ardhshme ky qytet do të njohë transformimet më të mëdha.

Sipas tij qytetet shqiptare janë zaptuar në çdo pëllëmbë të tyre nga betoni, duku u zënë kështu frymën shqiptarëve.

Kryeministri vlerësoi kandidaturën e Andrea Manos, duke thënë se qeveria do të mbështesë çdo projekt për Korçën evropiane, Korçën turistike, Korçën universitare, të biznesit, të mirëqenies.

Më tej ai shtoi se qeveria vjen krenare para qytetarëve të Korçës me arritje konkrete në këto katër vjet.

“Në këto vite në Qarkun e Korçës janë ndërtuar 380 km rrugë dhe janë investuar 150 milionë euro. Qeveria po investon në të gjitha drejtimet, tha kryeministri, duke përmendur këtu autostradën Tiranë Elbasan, autostradën Qukës- Qafë Plloç, përmes të cilave shkurtohet distanca Korçë – Tiranë, nga 185 km në 125 km, pra së paku me 60 për qind të kohës. Në katër vitet e kaluar janë investuar në qarkun e Korçës, në ujësjellës, kanalizime, më shumë se 150 milionë euro. Vetëm në kanalizimet e këtij qyteti dhe në impiantet e përpunimit të ujërave janë investuar rreth 37 milionë euro, në ujësjellësin e Pogradecit 25 milionë euro, në kanalizime e impiantin e përpunimit të ujërave në Pogradec 30 milionë euro. Rreth 47 ujësjellës e kanalizime u ndërtuan në mbarë Qarkun e Korçë”, u shpreh shefi i maxhorancës para qytetarëve korçarë.

Sakaq Berisha theksoi se krahas alternativës së “Aleancës për qytetarin” që përpiqet t’u japë përgjigjen më të mirë të gjitha problemeve komunitare, qëndron edhe alternativa tjetër, aleanca tjetër, “Aleanca e betonit”.

“Në këtë fushatë unë jam njëri prej jush, ndërsa ju, qytetarë të Korçës e të mbarë Shqipërisë, jeni ministra, kryeministra, presidentët e mi, që do të më udhëhiqni mua drejt fitores më të thellë. Do të vendosni Andrea Manon si qytetarin tuaj të parë, do ta shndërrojmë këtë pranverë në pranverën e fitores së madhe”, u shpreh kryeministri Berisha.

Fjala e plotë e Kryeministri Berisha në Korçë:

“Jam sot këtu tek ju për t’ju përshëndetur përzemërsisht, por edhe për të paraqitur para jush kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” për Kryetar të Bashkisë së qytetit të Korçës, një nga bijtë më të shquar të këtij qyteti, zotin Andrea Mano. Jam këtu për t’ju premtuar se në 4 vitet që vijnë qeveria shqiptare do të mbështesë çdo projekt që ju do të hartoni së bashku me Andrea Manon, për Korçën tuaj, Korçën evropiane, Korçën e kësaj dekade.

Jam sot këtu për t’ju dhënë fjalën se në katër vitet që vijnë Korça do të njohë transformimet më të mëdha, Korça turistike, Korça universitare, Korça e biznesit, Korça e mirëqenies. Ky është objektivi ynë në katër vitet që vijnë.

Zonja e zotërinj,

Unë vij sot krenar para jush gjithashtu krenar me arritjet tuaja. Në këto vite në Qarkun e Korçës janë ndërtuar 380 km rrugë dhe janë investuar 150 milionë euro, nga të cilat 140 km janë realizuar me grantet konkurruese të qeverisë, janë ndërtuar 45 km me Fondin Rural të Zhvillimit, janë ndërtuar 165 km rrugë kombëtare, investuar gjithsej 135 milionë. Rrugët e ndërtuara janë të shumta, por jam këtu për t’u angazhuar para jush se alternativa jonë është asfaltimi në këtë qytet, në këtë rreth, i çdo kilometri rrugë në të katër anët e saj. Jam këtu për t’u angazhuar para jush se, me Andrea Manon, do të rindërtojmë qendrën e Korçës,do ta shndërrojmë atë në një nga qendrat më tërheqëse turistike, në një nga nyjet më të zhvilluara të tregut, do ta shndërrojmë ashtu siç ishte; krenaria e Korçës dhe e korçarëve.

Qytetarë e qytetare të Korçës,

Qeveria po investon në të gjitha drejtimet, në mënyrë që Korça dhe Tirana të afrohen së paku, në kohë, 50 për qind më shpejt dhe më afër njëra-tjetër. Me rrugët e reja që ndërtojmë; autostradën Tiranë Elbasan, autostradën Qukës- Qafë Plloç, ne shkurtojmë distancën Korçë – Tiranë, nga 185 km në 125 km. Por, po të keni parasysh cilësinë e rrugëve, distanca Korçë-Tiranë shkurtohet së paku me 60 për qind të kohës.

Në katër vitet e kaluara ne kemi investuar në qarkun e Korçës, në ujësjellës, kanalizime, më shumë se 150 milionë euro. Vetëm në kanalizimet e këtij qyteti dhe në impiantet e përpunimit të ujërave janë investuar rreth 37 milionë euro, në ujësjellësin e Pogradecit 25 milionë euro, në kanalizime e impiantin e përpunimit të ujërave në Pogradec 30 milionë euro. Rreth 47 ujësjellës e kanalizime u ndërtuan në mbarë Qarkun e Korçë.

Në arsimin e Korçës janë investuar shumë milionë euro, Janë ndërtuar rreth 62 shkolla, është fuqizuar dhe po fuqizohet Korpusi i Universitetit. Ju garantoj se në 4 vitet që vijnë, me qeveritarët tuaj vendorë do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë dhe universiteti juaj do të jetë një ndër Universitetet më të fuqishme të vendit.

Në Aleancën tonë për qytetarin ne kemi vendosur në epiqendër të përpjekjes sonë, të alternativës sonë, që të jetë qytetari, hallet, problemet, dertet, punësimi, zhvillimi dhe mirëqenia e tij. Ndaj dhe kjo fushatë është betejë për rrugë më të mira për ju, është betejë për parqe më të mira për ju, për punësim më të madh për ju, për shkolla më të mira për fëmijët tuaj, për tregje më të mira për ju, Kjo është beteja në të cilën ju, së bashku me qeveritarët tuaj vendorë të ardhshëm, do të hartoni qindra e mijëra projekte me të cilat ne do të ndërtojmë Korçën e Shqipërinë, vendi më i zhvilluar në 2017.

Këto ditë, Brukseli njoftoi se ekonomia shqiptare është e vetmja ekonomi që vrapon, është e vetmja ekonomi e cila ecën me shpejtësinë më të madhe dhe në kohën e krizës më të thellë. Kjo është merita juaj, të dashur qytetarë të Korçës e të mbarë Shqipërisë, është meritë e reformave që ju mbështetët, e reformave që ne ndërmorëm. Është ky vrap i ekonomisë shqiptare që bëri të mundur që ne, në një hark kohor të shkurtër, të asfaltojmë mijëra e mijëra kilometra rrugë, të ndërtojmë e rindërtojmë mbi 1200 shkolla, qindra e qindra qendra shëndetësore, qindra e qindra kanalizime e ujësjellës, Është kjo ekonomi që vrapon që bëri të mundur për qeverinë shqiptare të dyfishojë rrogat e mësuesve në katër vjet, të infermierëve dhe mjekëve, të dyfishojë pensionet e ulëta në fshat, është kjo ekonomi që vrapon, që bëri të mundur që qeveria t’ju subvencionojë fermerëve të Krocës mbi 1600 ha dru frutorë, dhjetëra magazina frigoriferë, të investojë me dhjetëra milionë euro në sistemin e vaditjes. Ata, së bashku me fermerët shqiptarë, vitin që kaloi dyfishuan eksportet.

Sot është ditë nderimi të madh për ju, qytetarë të Korçës e mbarë Shqipërisë, për biznesmenët e Korçës e të mbarë Shqipërisë, ndaj dhe ne vendosëm amnisti për 20 vitet e shkuara për të gjitha detyrimet e biznesit shqiptar.

Edhe njëherë nga Korça, ftoj opozitën të votojë ligjin e amnistisë. Të mos harrojë se biznesi ka votuar e voton gjithmonë për Shqipërinë, se biznesi është gjeneratori kryesor i punësimit, i të ardhmes së qytetarëve shqiptarë. Ndaj, le të votojmë së bashku ligjin për të amnistuar detyrimet e tyre, sepse janë ata që me gjeninë e tyre krijuese, me sakrificën e tyre, me mundimin e tyre, së bashku me reformat e qeverisë, bënë që Shqipëria, nga një vend me ekonomi të falimentuar, të qëndrojë sot si një vend me një ekonomi që vrapon.

Të dashur qytetarë të Korçës!

Krahas kësaj alternative që përpiqet t’u japë përgjigjen më të mirë të gjitha problemeve tuaja individuale dhe komunitare, të zhvillojë komunat tona, qytetet tona, të krijojë vende të reja pune, të krijojë parqe e hapësira të gjelbra për qytetarët, të ruajë mjedisin, të asfaltojë rrugët, të ndërtojë shkolla, të fuqizojë tregun, ekziston një alternativë tjetër, një aleancë tjetër, “aleanca e betonit”. Ju duhet ta keni të qartë se me këtë material ndërtimi nuk kam asgjë, përveç se admirimit për kryeveprat që janë ndërtuar me të. Por, kur ky material përdoret për të zënë pëllëmbë për pëllëmbë e metër për metër hapësirat e qytetarëve, ai shndërrohet në një tiran të vërtetë të rrugëve e rrugicave të qyteteve tuaja. Kur ai mbisundon në rrugët, rrugicat e lagjet tuaja, nuk ka më të pamëshirë, nuk ka më shkatërrimtare për pronën e qytetarëve sesa "betoni dhe aleanca e tij", nga e cila do të ndahemi në 8 maj.

Ne zotohemi për zhvillim të qyteteve dhe komunave tona në përmasat e qytetarit, në interesat e qytetarit dhe për qytetarin.

Zoti Rama ka risjellë në skenën politike shqiptare në këto zgjedhje, hijen e vjetër të rrugës së vetme dhe kërkon t’ju bindë, qytetarë të mençur të Korçës e mbarë Shqipërisë, se rruga e tij e vetme, rruga e tij pa kthim, rruga e tij e vetmisë qenka rruga juaj, rruga më e mirë. Le t’i themi këtu se secili prej nesh, burra dhe gra në këtë sallë, burra e gra të mbarë Shqipërisë, ka rrugën e vet dhe nuk ka nevojë për rrugën tënde dhe mos tento kurrë t’i marrësh tjetrit rrugën, sepse çdo njeri zgjedh rrugët që do. Ne të gjithë së bashku do të zgjedhim rrugën që përfaqëson interesat tona, punësimin, shkollimin, infrastrukturën, tregun, zhvillimin. Ai kërkon beteja politike.

Unë do t’i them para jush: kësaj radhe vazhdoje vetëm luftën me "mullinjtë e erës", sepse në këtë fushatë unë jam njëri prej jush, ndërsa ju, qytetarë të Korçës e të mbarë Shqipërisë, jeni ministra, kryeministra, presidentët e mi, që do të më udhëhiqni mua drejt fitores më të thellë. Do të vendosni Andrea Manon si qytetarin tuaj të parë. Do ta shndërrojmë këtë pranverë në pranverën e fitores së madhe.

a.y/NOA

KOMENTE