Tiranë, 10 prill 2011, NOA- (Update) Zbulohen autoret e incidentit të ndodhur rreth dy orë më parë në komunën e Kasharit në kryeqytet.
Sipas policisë Shkëlqim Lleshi, Zani Sulaj dhe Alfred Sulaj kanë qenë agresorët e dy vëllezërve Genci e Fatjon Kamberi dhe jo dhjetë persona ashtu sikurse ishte thënë më parë.
Përplasja mes dy palëve ndodhi pas vendosjes së flamujve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste.
Dy të plagosurit janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak për të marrë ndihmën e shpejtë, pasi kanë pësuar fraktura të shumta në trup dhe kryesisht në kokë, pas goditjeve të marra nga ana e militantëve të Partisë Socialiste.
Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se tre agresorët e vëllezërve Kamberi do të hetohen në gjendje të lirë.
Ky rast vjen i përsëritur, pasi vetëm dy ditë më parë vendosja e flamujve elektoralë ka krijuar tensione dhe përplasje gjatë natës mes simpatizantëve të partive politike në afërsi të Bashkisë Kamëz. Militantët e Partisë Demokratike janë përplasur me ata të Partisë Socialiste, ndërkohë që socialistët vendosnin postera dhe flamuj elektoralë për zgjedhjet e 8 majit.
a.y/NOA