English

Jahjaga, Presidentja blu!

Ambasadori Dell zgjodhi për president një person nga radhët e uniformave blu. Dhe mirë bëri, sepse vetëm emblemat dhe uniformat kanë kuptim në këtë vend. Këtu nuk bëhet fjalë për shoqërinë civile. Shihni edhe partia FER, si produkt i shoqërisë civile, si u emblemua në Vetëvendosje!

Nga Bardh Frangu

Presidenti i trafikuar nëpërmjet numrave pa fuqi vullneti, iku për faktin, siç tha ai, “Populli të mos vuaj nga budallallëqet e liderëve politikë” Ai e tha një të vërtetë, pavarësisht që edhe vetë është një lider, i cili, për fatin tonë të keq, beson njësoj si liderët tjerë, se pa ta Kosova humbë shumë!

Vërtet këta tipa nga politika ta shndërrojnë atdheun në një oazë dëshpërimi, duke i përbuzur gjithë ato përpjekje dhe sakrifica, të cilat do të duhej t’i stolisnin njerëzit e këtij vendi e jo t’i shëmtonin dhe t’i nxirrnin në një fytyrë si kjo që kemi tani. E dihet se peizazhi i atdheut nuk bëhet nga fushat e kodrat, por nga pamjet e njerëzve në të. Në këtë rast nuk mund e të mos i referohem një komenti të një lexuesi në gazetën “Express”. I nënshkruar si Afrimi nga Prishtina, lexuesi, ndër të tjera, kështu komenton në shkrimin e Arben Idrizit “Parabola e Kafkës”: “...shqiptarët nuk mund ta mbajnë shtetin vetë. E hanë atë!” Vërtet duket ashiqare se liderët tanë po sillen si kanibalë politikë.

Megjithatë marrëveshja ndërmjet dy partive më të mëdha dhe zgjedhja e presidentit, ka rrëmbyer vëmendjen tonë. Së pari u bë e qartë edhe për zogjtë se me këtë vend është i detyruar të udhëheq përfaqësuesi amerikan në Kosovë, në këtë rast ambasadori Dell. Dhe kjo është mirë. Ambasadori Dell nuk mund dhe nuk guxon ta shoh Kosovën si një hamburger, të cilin duan ta hanë liderët tanë politikë. Kjo për faktin se shteti i tij ka bërë investime të jashtëzakonshme dhe sakrifica të mëdha për ta bërë shtet funksional këtë vend. Ambasadori Dell ka për detyrë që të mos lejojë të dështojë dhe të turpërohet shteti i tij në këtë vend, ku sall pushteti ka kuptim.

I turpëruar me mesazhet nga zgjedhja antikushtetuese e Pacollit për president, ambasadori Dell tani u shfaq ashiqare në veprim. Dell tashmë e kishte të qartë se komunikime me mesazhe ishte një veprim shumë futurist për njerëzit tanë të politikës. Dhe mirë bëri që i detyroi liderët tanë të ulen bashkë dhe të binden se vendi nuk guxon të katandiset në kriza të njëpasnjëshme.

Me marrëveshjen e arritur ai së pari shpëtoi liderin e PDK-së, duke ia zvogëluar peshën e gurit në qafë, të cilin e bartë nga arnimi i qeverisë me mandate të rezervuara dhe me lënien e vullnetit të shumicës në opozitë. Së dyti shpëtoi Kosovën duke ia zvogëluar dukshëm ngërçin politik që e kishte ngulfatur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ambasadori Dell krijoji një situatë në të cilën mund të merret frymë më lirshëm dhe të punohet në plotësimin e të gjitha kushteve që parasheh marrëveshja. Duke marrë iniciativën vetë, në këtë mënyrë ambasadori Dell nuk la as mundësinë më të vogël që të spekulohet me faktin se kush nga liderët tanë ishte i merituar për këtë marrëveshje. Dhe bazuar në rrethanat e krijuara zor se ka pasur ndonjë zgjidhje më të mirë.

Edhe zarfi me emrin e presidentit të ri, të cilin ambasadori Dell ua hodhi në tavolinë liderëve tanë politik, ishte një e mirë tjetër për Kosovën. Ai nxori, thënë kushtimisht, nga anonimiteti një femër dhe e propozoi për presidente të Kosovës. Bazuar në biografinë e saj, zonja Jahjaga del të jetë një vlerë e paidentifikueshme ndër ne. Dhe bëri mirë, sepse në këtë mënyrë ai ua bëri me dije liderëve tanë se nuk kanë pikë vullneti për ndërtim sistemi të vlerave, përkundrazi. Ambasadori Dell zgjodhi për president një person nga radhët e uniformave blu. Dhe mirë bëri, sepse vetëm emblemat dhe uniformat kanë kuptim në këtë vend. Këtu nuk bëhet fjalë për shoqërinë civile. Shihni edhe partia FER, si produkt i shoqërisë civile, si u emblemua në Vetëvendosje!

Marrëveshja e arritur ndërmjet dy partive më të mëdha bën shenjë të mirë edhe për faktin se krahas dialogut të jashtëm, në këtë rast me Serbinë, është i domosdoshëm një dialog i brendshëm që ndihmon zgjedhjen e problemeve me interes për qytetarët dhe që njëherazi e bën më të fuqishëm edhe dialogun e jashtëm.

Fakti që zonja Jahjaga vjen nga radhët e uniformave blu, ka logjikën e vet. Edhe një herë tjetër i jam referuar një eprori policor, i cili në një debat për çështje sigurie e cilësoi Kosovën si shtet policor. Ai solli shumë fakte për këtë, duke argumentuar se për rendin dhe sigurinë në këtë vend kujdeset sall policia, ndërsa me argumente arsyetoi faktin se në këtë vend nuk funksionon as prokuroria, as gjykata. E pra, në një shtet policor si ky i ynë, është krejt normale që njeri i parë i tij të jetë nga uniformat blu.

Ndryshe, nuk është rasti i parë që një person ngjitet befasisht në një post të lartë. Këtë e kemi përjetuar edhe përpara dhe sigurisht që do ta përjetojmë edhe në vazhdim. Deputeti Limaj e ka thënë që moti se në këtë vend ndodh që njerëzit të zgjohen në mëngjes dhe ta shohin veten në pasqyre si prijës të institucioneve më të larta. Pra kjo nuk paraqet ndonjë befasi, aq më tepër kur në këtë vend moti i ka humbur kuptimi habisë.

Keq është që një kuadër të tillë policie, siç është zonja Jahjaga, liderët tanë e konceptojnë si një gardian që është caktuar për ta ruajtur presidencën deri në zgjedhjen e presidentit me mandat të plotë. Në këtë kuptim, ndoshta është herët të thuhet, por do të ishte mirë që ambasadori Dell të vihej në përkrahje të vazhdueshme të saj, në mënyrë që ajo të fitojë edhe një mandat të plotë pas një viti. Dhe kjo gjë nuk është fare e zorshme në këtë vend. Nuk është e largët koha kur politika caktonte drejtorë të dhunshëm nëpër institucione, kinse për një kohë sa për ta sanuar gjendjen e acaruar nga elementë armiqësorë, dhe të njëjtit fitonin mandatin e rregullt po nga njerëzit e atij institucioni. Unë besoj shumë në funksionimin e kësaj logjike edhe në rastin presidentes Jahjaga.

NOA

KOMENTE