English

Kosova mbrapa me kriteret europiane

E diel, 10 prill 2011, NOA- Autoriteteve kosovare u ka mbetur më pak se një muaj për të dëshmuar progres në fushat për të cilat Komisioni Evropian, në raportin e tij të fundit, evidentoi mangësitë dhe ngecjet më të mëdha.

Në fillim të muajit maj, Zyra Ndërlidhëse e këtij mekanizmi në Prishtinë, do të dërgojë në Bruksel vlerësimet e para për arritjet e Kosovës në fushën politike, ekonomike dhe për ato që kanë të bëjnë me standardet evropiane.

Zëvendëskryetari i parë i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Xhavit Haliti, thotë se zhvillimet politike të muajve të fundit kanë shpërqendruar autoritetet kosovare lidhur me përmirësimin e kritikave që dolën nga Raporti i Fundit i Progresit i Komisionit Europian. Megjithatë, ai shpreh bindjen se brenda muajit të ardhshëm do të bëhen hapa pozitivë nga institucionet përkatëse.

“Institucionet janë vonuar. Është kriza e krijimit të koalicionit, kriza e presidentit dhe kështu me radhë. Shpërqendrimi me të vërtetë ka qenë i të gjithëve, por besoj që mekanizmat që merren me progresin që duhet ta bëjë Kosova, janë të angazhuara - në këtë rast, të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës janë duke e bërë punën e tyre”, thotë Haliti.

Analisti Ismajl Hasani thotë se për shkak të krizave institucionale që pasuan zgjedhjet e fundit parlamentare në vend, Kosova ka humbur kohë të vlefshme, brenda së cilës do të duhej të përqendrohej në përmirësimin e këtyre kritikave.

“Në planin strategjik është normale që Kosova ka humbur, po ashtu, kohë të pa kompensueshme sa i takon përballjes së drejtpërdrejtë me dukuritë negative në shoqëri, duke e ditur se njëri prej kritereve për integrim në Bashkimin Evropian, është lufta e pa kompromis kundër korrupsionit dhe dukurive të tjera negative në shoqëri”, thekson Hasani.

REL/ NOA

KOMENTE