English

Kryebashkiaku Dako: Në 8 maj votoni zhvillimin e jo regresin

Durrës, 10 prill 2011, NOA - Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili garon në zgjedhjet vendore të 8 majit për një mandat të dytë në këtë bashki i kërkoi votën qytetarëve të Durrësit duke theksuar se ata në 8 maj duhet të votojnë zhvillimin që vjen nga “Aleanca për të ardhmen” dhe jo bllokimin dhe prapambetjen që vjen nga e djathta. Gjatë takimit me banorët e lagjes nr. 15 të Durrësit kryebashkiaku Dako deklaroi se “Bashkia e Durrësit ka në qendër të gjithë punës së saj qytetarin dhe është munduar që pavarësisht bllokimeve të shumta të të djathtëve, të punojë në interes të qytetarëve të Durrësit në të gjitha zonat ku ata banojnë”.

“Një bllokim i vazhdueshëm për arsye politike i të djathtëve është puna në KRRT dhe në këshillin bashkiak si dhe bllokimi i disa punëve publike siç është qendra e qytetit, gjë që ka rënduar në kurriz të qytetarëve, ndaj edhe qytetarët duhen ndarë përfundimisht nga regresi që prodhon PD në të gjitha pushtetet, qoftë atë qendror qoftë edhe në këshillat bashkiakë të vendorëve”, bëri me dije kryebashkiaku i Durrësit.

Kreu aktual i bashkisë së Durrësit bashkëbisedoi me banorët për hallet dhe problemet e tyre dhe i njohu ata me projektet e ardhshme të bashkisë për këtë zonë.

Ai u ndal në shqetësimet e përditshme të banorëve që lidhen kryesisht me infrastrukturën.

Në këtë kontekst kryebashkiaku Vangjush Dako u premtoi banorëve se “të gjitha rrugët dytësore të kësaj zone do të asfaltohen dhe kjo do të sjellë një përmirësim të ndjeshëm në infrastrukturën e zonës”.

Gjithashtu ai i siguroi banorët e lagjes nr. 15 të qytetit bregdetar se “në mandatin e dytë do të vazhdojë me intensitet puna edhe në rrafshin social, kur sipas tij 243 banesa të reja sociale do të vihen në dispozicion të të pastrehëve, ndërkohë që do të zgjerohet baza e ndihmës sociale”.

Ai premtoi po ashtu se në lagjen nr.15 të Durrësit do të ketë shumë investime që do të përmirësojnë ndjeshëm jetesën e banorëve të zonës.

Kryebashkiaku Vangjush Dako garon për një mandat të dytë për kryetar bashkie të Durrësit nën siglën e “Aleancës për të ardhmen” dhe në këtë garë ka përballë si kundërshtar kandidatin e “Aleancës për qytetarin” ish-ministrin e Turizmit, Ferdinand Xhaferri.

mit/NOA

KOMENTE