English

Kurti: Bisedimet me Serbinë të ndërpriten, po mbahen në kurriz të qytetarëve

Prishtinë, 10 prill 2011, NOA- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti deklaroi se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndërpriten, pasi në këtë formë vendi fiton më shumë.

Ky reagim erdhi pas deklaratës së zëvendës-kryeministres së Kosovës Edita Tahiri në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme të premten që shkoi ku u sqaruan disa çështje sa i përket bisedimeve me Serbinë që po zhvillohen në Bruksel.

Sipas kreut të Vetëvendosjes, zëvendës-kryeministrja Edita Tahiri e pranoi që bisedimet në Bruksel ajo i quan “dialog teknik midis Kosovës e Serbisë”, mirëpo Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në këto bisedime i quan ato “dialog midis Kosovës e Serbisë”. Pra, BE-ja nuk i quan ‘dialog teknik’ por vetëm ‘dialog’.

“Zëvendës-kryeministrja Tahiri e pranoi që ka afrim të qëndrimeve me Serbinë sa i përket çështjes së regjistrave civilë, pra librave të amzës, dhe energjisë, por jo edhe telekomunikacionit. Ajo tha që i ka kërkuar origjinalet e regjistrave të gjendjes civile por gjithashtu e konfirmoi gatishmërinë e saj që t’i marrë edhe kopjet e këtyre regjistrave. Pra, ky është kompromisi i parë që rrezikon të bëhet marrëveshje dhe të nënshkruhet në raundin e ardhshëm të bisedimeve. Mirëpo, zëvendës-kryeministrja Tahiri nuk ka qejf që t’i përdor fjalët ‘koncesion’ e ‘kompromis’. Ajo preferon për të njëjtin kuptim shprehjet ‘sjellje konstruktive’ dhe ‘zgjidhje kreative”, u shpreh Kurti.

Ai e cilësoi si joprofesionale përgjigjen e zëvendës-kryeministres Tahiri, e cila është përgjigjur se nëse Vetëvendosje do të dijë se çka është biseduar në Bruksel, atëherë ajo duhet të bëhet pjesë e bisedimeve.

Ndërkaq Kurti deklaroi se gjithë këto bisedime po bëhen në kurriz të qytetarëve.

a.y/NOA

KOMENTE