English

Mediu: Qeveria, arritje historike për shqiptarët

Fier, 10 prill, NOA - Partia Republikane ka zhvilluar një takim në qytetin e Fierit, duke i kërkuar elektoratit republikan që të mbështesë fuqimisht kandidatin për kryetar bashkie, të përzgjedhur nga “Aleanca për qytetarin”, Ilir Bele. Në këtë takim merrnin pjesë me qindra simpatizantë republikanë si dhe deputetë përfaqësues të “Aleancës për qytetarin”.

Duke iu drejtuar elektoratit, kryetari i Partisë Republikane, zoti Fatmir Mediu, i kërkoi mbështetje pa kushte për kandidatin e përzgjedhur për kryetar bashkie, zotit Bele, por gjithashtu edhe për kandidatët për këshilltarë bashkie dhe komunash, që dalin direkt nga listat e PR-së.

Gjatë fjalës së tij, kryetari I PR, Mediu vuri theksin në arritjet që ka ofruar ky shekull për shqiptaret. Ai shtoi se këto arritje u mundësuan nga “qeverisja e zotit Berisha dhe koalicionit që ai drejton”.

Mediu përmendi ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme, realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, si Rruga e Kombit Durrës- Kukës, Pavarësia e Kosovës, anëtarësimi në NATO, liberalizimi I vizave etj,.

Kreu i republikanëve u ndal edhe në rolin e opozitës shqiptare, duke theksuar se ajo ka pasur vetëm rol pengues në proceset historike, si liberalizimi i vizave, anëtarësimi në NATO, apo edhe mos marrja e statusit për vendin kandidat.

“Janë të gjitha këto arsye, të cilat na bëjnë që ne të gjithë, fierakë dhe shqiptarë, pa dallime partiake, të bashkohemi dhe të shkojmë në votime, për të ndryshuar të ardhmen tonë. Ne jemi pjese e familjes se madhe shqiptare! Ne besojmë në vendin tonë, ku gjithësecili padyshim ka besimin dhe gjykimin e vet, por ne jemi te bashkuar si shqiptarë, sepse ne ndajmë të njëjtat shpresa dhe të njejtat qellime: Shqipërinë Europiane”, tha Mediu.

Kreu i PR-së, u ndal edhe te çështja e pronës, një nga shtyllat e platformës politike të Partisë Republikane:

“Të gjithë kandidateve në këtë fushate ne ju kërkojmë të bëjnë një premtim dhe t’a kthejnë në realitet detyrimin për t’i dhënë komunitetit mysliman, katolik, ordodoks e bektashi, pronat e tyre, të marra padrejtësisht nga pushteti komunist. Prona private është një e drejte e pamohueshme. Ajo nuk mund të nëpërkëmbet nga asnjë autoritet shtetëror, qendror apo lokal. Kjo është një plage e madhe dhe e vjetër, që kërkon zgjidhje. Jo thjeshte për faktin se ne Republikanet e kërkojmë prej mese 20 vitesh, por sepse koha ka provuar drejtësinë e qëndrimit tonë. Bashkimi Europian e ka përcaktuar atë tashme si një detyrim për shtetin shqiptar”, tha Mediu.

a.k./NOA

KOMENTE