Elbasan, 10 prill 2011, NOA- Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet takimin e radhës me elektoratin e përqendroi në Elbasan.
Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast kryetari i kësaj partie, Shpëtim Idrizi ftoi të gjithë shqiptarët, sidomos ata që refuzojnë të votojnë me vetëdije, që të bashkohen me PDIU-në, me partinë që ka treguar se motivi i saj është vetëm çështja kombëtare.
Në vijim të fjalës së tij Idrizi theksoi se ekonomia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës duhet të jetë komplementare dhe jo konkurruese, dhe se duhet të konkurrohet në një treg të lirë në hapësirat mbarëshqiptare.
“Ne, në themel të programit tonë kemi bashkimin ekonomik të shqiptarëve. Të thuash kështu nuk është një sakrilegj, sepse ekonomia e Shqipërisë dhe ekonomia e Kosovës duhet të jenë ekonomi komplementare dhe jo konkurruese. Ne sot duhet të krijojmë një treg real ku qarkullojnë mallrat, idetë dhe njerëzit. Kjo është një ndër pikat thelbësore të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet”, u shpreh kreu i PDIU.
Sakaq Idrizi vlerësoi rolin që ka luajtur Elbasani në historinë e kombit shqiptar, sidomos për sa i përket dijes, duke e cilësuar Normalen e Elbasanit si një pikë kyçe drejt lirisë dhe pavarësisë.
Në këtë takim një fjalë përshëndetëse e mbajti edhe kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin”, për bashkinë e këti qyteti Durim Hushi, i cili e vlerësoi PDIU-në si një forcë dinamike për politikën shqiptare.
Ndërsa presidenti i Nderit i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Tahir Muhedini vlerësoi rolin e qytetarëve të Elbasanit gjatë historisë së shtetit shqiptar dhe bëri thirrje që që të gjithë të bashkohen rreth PDIU-së për të zgjidhur çështjen kombëtare.
a.y/NOA