Tiranë, 10 prill 2011, NOA – Policia e Tiranës foli për incidentin e ndodhur në Kashar të Tiranës duke bërë me dije se ka kapur e po merr në pyetje njërin nga autorët Luan Sulaj, i cili bashkë me Shkëlqim Lleshin, Fred Sulën dhe Zani Sulën mesditën e sotme u konfliktuan me pronarët e një lokali me qëllim heqjen e flamujve të Partisë Demokratike dhe vendosjen aty të flamujve të Partisë Socialiste.
Incidenti në fjalë ndodhi mesditën e të dielës në ambjentet e një lokali në afërsi të Kompleksit “Aurora Grup”, të ndodhur në Kashar në pronësi të shtetasve Fatjon dhe Genci Kamberi.
Zëdhënësja e policisë Alma Katragjini në një konferencë për shtyp bëri me dije se dy vëllezërit, njëherazi dhe pronarë të lokalit nuk kanë pranuar të heqin flamujt e PD-së duke e argumentuar me faktin se lokali është në pronësi të tyre dhe është pronë private.
Policia nënvizon më tej se autorët e dyshuar Luan Sulaj, Shkëlqim Lleshi, Fred Sula dhe
Zani Sula janë konfliktuar me vëllezërit Kamberi duke i qëlluar me sende të forta dhe duke u larguar më pas.
Të dëmtuarit Fatjon dhe Genci Kamberi, janë dërguar dhe trajtuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Policia njofton se është kapur njëri prej autorëve Luan Shkëlqim Sulaj, i cili po merret në pyetje në lidhje me sqarimin e rrethanave të këtij incidenti, si dhe do të proçedohet penalisht.
mit/NOA