English

Pse vota është fuqi magjike...

Tiranë, 10 prill 2011, NOA – Ja pse vota motra dhe vëllezër është një fuqi magjike, pa të cilën e gjithë magjia e demokracisë i lë vendin një degjenerimi të përditshëm të qeverisë, të institucioneve, të konkurrencës në treg, të gjithë hapësirave të lirisë. Saliu dhe Iliri duhet t’i japin llogari qytetarëve të Tiranës. Duhet t’i japin llogari qytetarëve të kombinatit për keqqeverisjen, për faturën e papërballueshme, për çmimet e papërmbajtshme për taksën e pamëshirshme të inflacionit që jua merr si era lekët nga xhepi i tyre...

Nga Edi Rama

A ju kujtohet ky shesh vetëm pak vjet më parë, një katrahurë njësoj si Tirana që na e lanë rrëmujë e baltë dhe ne e rilindëm dhe e bëmë qytet, ashtu si e rilindëm e bëmë kombinatin, që na e lanë pafrymë, pa asnjë metër katror gjelbërim, pisllëk shkatërrim dhe re tymi plot helm prej plehrave që këtu pranë digjeshin si në mesjetë. Ne e rikthyem në jetë Kombinatin. Deri dje pa rrugë, pa ndriçim, pa të ardhme, shkëputur prej Tiranës nga një rrugë që zgjaste treçerek ore. Ne e përzumë renë e tymit nga Kombinati, ndërtuam një fushë të përpunimit të mbetjeve urbane të standardeve europiane. I vumë Kombinatit mushkëri të gjelbërta pemësh. U dhamë shkollave të fëmijëve e nxënësve këtu standarde europiane.

4 vjet më parë unë erdha këtu në kombinat për t’i kërkuar socialistëve dhe progresistëve votën për atë që do të jetë kryetarja e njësisë bashkiake të Kombinatit deri në datën 8 maj. Në 8 maj kryetar i kësaj njësie do zgjidhet Krenar Cenollari, sepse kombinati s’mund të jetë një fletë e bllokut të kusarive të Ilirit dhe as një pjesë e stërzgjatur e pemës së kalbur të pushtetit të Saliut.

Motra dhe vëllezër, i shoh me pezmatim autobusët e linjës së vjetër të kombinat - kinostudio, që kanë mbetur pas autobusëve urban të standardeve të BE të cilët lëvizin sot ngado nëpër Tiranë. Çdo banor i kombinatit, ashtu si çdo banor i Kinostudios, 21 dhjetorit, apo rrugës së Dibrës ka edhe një arsye më shumë që të votojë Aleancës për të Ardhmen, PS në 8 maj, linjën e re moderne të autobusëve që ne do ta vendosim me të na dhënë ju shumicën në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Sepse, nëse sot njerëzit e zakonshëm të kombinatit, socialist apo demokrat, bashkë me të gjithë ata që e votuan këtë kryetaren e njësisë këtu, janë të detyruar çdo mëngjes e çdo darkë të hipin në ata autobusë të vjetër e të papërshtatshëm për secilin nga ju, kjo ndodh vetëm për një arsye, është sepse Iliri dhe Saliu e kanë bllokuar transformimin e kësaj linje autobusësh, duke bllokuar këshillim bashkiak.

E kanë bllokuar me shpresën e mjerë se duke hipur në autobusë qytetarët e Kombinatit, prindërit të rejat e të rinjtë do të mallkojnë Bashkinë e Tiranës. E kanë bllokuar siç kanë bllokuar e shumë projektet të tjera në të mirë të qytetarëve, sepse as Saliu dhe as Iliri nuk kanë asnjë qëllim tjetër në bashkimin e tyre përveç qëllimeve të shkruara në atë bllokun e kusarisë, të cilin të gjithë qytetarët e Tiranës do ta hedhin bashkë me plehrat e ditës në 8 maj, për ta përpunuar në këtë fushën e mbetjes këtu në Kombinat.

Na e lanë Tiranën si mos o zot më keq, me një Këshill Bashkiak që mblidhej nëpër restorante, e sot kanë nxjerrë një kukull për të kërkuar një votë, të cilën Tirana s’do tua japë kurrë atyre që i bllokuan dhunshëm Këshillin sepse duan ta marrin peng siç kanë marrë peng Shqipërinë. Ta harrojnë Tiranën, ajo do të rinis të vrapojë drejtë të ardhmes me të gjithë forcën e ambicies së qytetarëve të saj pa dallim, sapo të ketë Këshillin Bashkiak ku Saliu s’do ketë më fuqinë bashkuese që i dha Iliri duke u bashkuar me të në fletët e bllokut të punëve të zeza.

E dëgjova Saliun sot të thoshte se unë jam një qytetar si ju, ju qytetarët jeni të gjithë ministra e kryeministra, a ka tallje më të madhe se kjo fjali në gojën e një kryeministri, që për të mos thënë një mijë e një po them vetëm një, qytetarëve ju shiti llumin për naftë, për llogari të xhepit të shtëpisë së tij. Ju shkatërroi makinat bashkë me mushkëritë duke ndotur ajrin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, si s’ka më zi. U thotë jam qytetarë si ju e ju jeni kryeministra e ministra, por ndërkohë pasi shpalli një fushatë në dietë me makina të marra me qera, fluturon qytet më qytet me helikopterë të paguar nga taksat, për ti zhdëpur njerëzit me rrena kudo ku vë këmbën në tokë.

Rrena të mëdha, sa ç’është e madhe gropa e krizës ekonomike të familjeve të zakonshme shqiptare. Shqipëria 1 milion të papunë dhe Saliu thotë jemi të parët në botë për zhvillim ekonomik. Njerëzit s’paguajnë dot dritat, ujin, ilaçet dhe Saliu thotë po habitet bota me ekonominë tonë. Njerëzit mbushin listat e borxheve në dyqane për të mbushur barkun dhe Saliu ju thotë ju jeni kryeministra e ministra, punë e madhe se s’keni as të hani. Hani rrenat e mia mëngjes, drekë, darkë e ngopuni me mua. Kështu ndodh, kështu shalohet populli me rrena kur i vidhet vota.

Një qeveri që ta merr votën edhe kur s’ia jep, të merr pastaj me radhë lekët, shpirtin, madje dhe jetën sepse nuk i duhesh, nuk i vlen më, nuk i hyn në asnjë llogari të sajën.

Ja pse vota motra dhe vëllezër është një fuqi magjike, pa të cilën e gjithë magjia e demokracisë i lë vendin një degjenerimi të përditshëm të qeverisë, të institucioneve, të konkurrencës në treg, të gjithë hapësirave të lirisë. I hap rrugë papunësisë, varfërisë, mu kështu siç ndodh në Shqipërinë e vjedhur në votën e vet, ku Saliu majmet dhe tallet duke kënduar rrena si gjel maj të plehut të korrupsionit, të pushtetit të tij të kalbur fund e krye. Është kjo e keqja që e gjen një popull kur vidhet në votën e tij dhe ndalohet në fuqinë për të ndëshkuar me votë qeverinë e tij.

Sa shumë shqiptarë, sa shumë edhe këtu në kombinat, të rinj e të moshuar, ndjehen sot më të pafuqishëm përballë shtrenjtimit të jetesës dhe i kufizimit të mundësive të tyre për të jetuar? Sa shumë shqiptarë, sa shumë burra e gra edhe këtu në kombinat kanë humbur punën? Sa shumë e shumë shqiptarë, sa shumë e shumë familje të zakonshme dhe këtu në kombinat e ndiejnë përditë taksën e pamëshirshme dhe të pabesë të inflacionit t’jua marrë si era fuqinë e lekut në xhepin e tyre edhe pse Saliu u thotë se sapo ju rrita rrogën dhe pensionin? Ata që jetojnë sot më keq se dje s’duhet të dyshojnë për asnjë sekondë se e keqja që ua merr lekët si era kur dalin në Pazar dhe kthehen pastaj përditë e më duar bosh në shtëpi, vjen nga mos kokëçarja përbuzëse e qeverisë që ju ka vjedhur votën. Vota e vjedhur është një e keqe që i sjell të këqiat zinxhir, duke i lidhur këmbët njerëzve të zakonshëm, duke i lidhur këmbët komuniteteve të familjeve të zakonshme, duke i lidhur këmbët fshatrave e qyteteve të një vendi të tërë. Vetëm vota popullore e mbrojtur sy për sy e dhëmbë për dhëmbë, si vullnet sovran për ti thënë Kurrë Më këtij pushteti të vjedhur, do ta këpus zinxhirin e të këqijave në 8 maj.

Motra dhe vëllezër ju i dëgjoni ata që sot me pushtetin e vjedhur për të vjedhur Shqipërinë ju këndojnë këngën e rrenave edhe për taksat e Bashkisë së Tiranës. E më lejoni që këtu në Kombinat, ku frutat e taksave tuaja janë të dukshme e të prekshme, që nga ky shesh i rindërtuar si një hapësirë europiane, deri në çdo rrugë ku kemi mbjellë pemë, kemi ndriçuar, kemi ndërtuar shkolla, kopshte e çerdhe, t’ju them se një familje e zakonshme kryeqytetase i paguan bashkisë së Tiranës për të gjitha shërbimet që merr prej saj dhe për të gjithë këtë zhvillim që e kemi bërë të mundur sëbashku falë kontributeve tuaja vetëm 5500 lekë të vjetra në muaj. E dini sesa i paguan një familje e zakonshme shqiptare qeverisë, 50 herë më shumë. 270 mijë lekë tatim mbi rrogën, sigurime shoqërore sigurime shëndetësore deri tek TVSH-ja e bukës, e cila e vetme është më e lartë sesa taksa mujore e bashkisë për një familje.

A e dini se vetëm televizionit shtetëror të Saliut familjet shqiptare i paguajnë një shumë më shumë se dy herë më të madhe në vit sesa paguajnë në muaj për të pastruar qytetin, për të ndriçuar qytetin, për të ndërtuar qytetin dhe për të ndërtuar rrugën e së ardhmes. Kjo është e vërteta. Ashtu sikundër biznesi i vogël i kryeqytetit, biznesi i vogël i kombinatit i paguan bashkisë për shërbimet e pastrimit, të gjelbërimit, të ndriçimit, të ndërtimit të rrugëve, shkollave, çerdheve vetëm mesatarisht 1 milion lekë në vit. Ndërkohë që i paguan qeverisë, pushtetit të korrupsionit 4 milion lekë në vit. Pra 4 milion lekë në vit që nuk dihen ku shkojnë, por që dihet që fryjnë xhepat e kryeministrit e ministrave dhe të shërbëtorëve të oborrit të tyre.

E pra motra dhe vëllezër, kjo është dita kur Tirana që kemi është një arsye e patundshme për t’i thënë kurrë më Saliut në 8 maj. Kurrë më vrasje e tortura qytetarësh që demonstrojnë kundër qeverisë. Kurrë më grabitje pasurish të popullit dhe pronash qytetarëve me ligje antikushtetuese dhe vendime qeverie të paligjshme. Kurrë më një pushtet që mbron kryeministrin dhe ministrat nga drejtësia dhe një drejtësi që si jep qytetarit të drejtën që i njeh ligji.

Kurrë më mungesë konkurrence në treg dhe monopole që zhvillohen si tumore nën sqetullën e pushtetit të kalbur të korrupsionit për përfitimet e paligjshme të kryeministrit, të ministrave, të klientëve dhe të shërbëtorëve të tyre. Asnjë qytetar i këtij qyteti pavarësisht bindjeve të tij s’duhet ti trembet presionit banditesk të pushtetit të vjedhur. Pushtet që vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë dhe vrau për të vazhduar të vjedhë. Është presioni i të humburve, presioni i atyre që kanë humbur prej kohësh të drejtën për ta qeverisur këtë vend dhe që me këtë qytet, me kryeqytetin e Shqipërisë me Tiranën, kanë vetëm llogari për të dhënë. Është presioni i Saliut që po bie dhe kërkon më kot të ulet bashkë me kukullën e tij në prehrin e Tiranës, duke ndjekur rrugën pa krye të frikësimit të njerëzve dhe të blerjes së votave me lekët e vjedhura nga njerëzit. Askush të mos trembet, asnjë nënpunës, asnjë mësues, asnjë mjek, asnjë polic, asnjë banor i këtij qyteti nuk do të humbasë, por vetëm do të fitojë nga humbja e këtij pushteti.

Saliu dhe Iliri duhet ti japin llogari qytetarë të Tiranës. Duhet ti japin llogari qytetarëve të kombinatit për keqqeverisjen, për faturën e papërballueshme, për çmimet e papërmbajtshme për taksën e pamëshirshme të inflacionit që jua merr si era lekët nga xhepi i tyre. Duhet ti japin llogari Tiranës për vrasjet, grabitjet, gënjeshtrat dhe patjetër duhet ti japin llogari qytetarëve të Tiranës në 8 maj për baltën e pafundme të urrejtjes dhe të shpifjeve që kanë hedhur mbi punën tonë.

Ne kemi qenë dhe jemi fituesit në Tiranë sepse puna jonë është fituese, projekti ynë për të ardhmen është fitues, morali ynë është fitues, qytetaria jonë është fituese, njerzillëku ynë është fitues, pasioni ynë për ndryshimin është fitues. Tirana nuk ka kohë dhe as betejë për të humbur me këtë pushtet të marrë fund. E vetmja rrugë për Tiranën është rruga që ne kemi hapur dhe do ta çojmë përpara me punë të madhe dhe me përkushtim shembullor ndaj qytetarëve.

*Fjala e kryesocialistit Edi Rama gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” për njësinë bashkiake nr. 6 në Tiranë, Krenar Cenollari

KOMENTE