Prishtinë, 10 prill, NOA - Mbi 70 për qind e punëtorëve në sektorin privat janë pa kontrata të punës. Si pasojë, në vit buxheti i Kosovës humb rreth 15 milionë euro në tatime e kontribute.
Këto shifra tronditëse, që dalin nga një hulumtim i kryer në terren nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, vijnë pak muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit të punës.
Drejtuesit e kësaj sindikate prej ditës kur ka hyrë në fuqi ligji janë duke inspektuar në terren dhe gjatë punës se tyre thonë se kanë pasur edhe kërcënime nga disa kompani të mëdha private. Kreu i SPEVZ, Jusuf Azemi, thotë se gjatë vizitave në terren është konstatuar një situatë shumë rëndë e punëtorëve.
“Mbi 70 për qind e punëtorëve të sektorit privat nuk kanë kontrata të punës. Kemi punëtorë që nuk e dinë se çka është kontrata e punës”, ka thënë Azemi, njofton gazeta Express.
Sipas tij, diskriminimi i punëtorëve në Kosovë po bëhet në format më të vrazhda.
Sipas llogarive që i ka bërë kjo sindikatë, del që prej 200 mijë punëtorëve sa janë në sektorin privat, prej tyre vetëm 50 deri në 60 mijë janë të siguruar dhe që paguajnë kontribute. “Kurse mbi 150 mijë punëtorë vërtet sot pranohen e nesër mund të largohen për në shtëpitë e tyre”, ka shpjeguar Azemi.
Por, veç punëtorëve, “fshehja” e punëtorëve nga kompanitë private po e dëmton buxhetin e Kosovës miliona euro. Saktësisht, sipas kësaj sindikate, mbi 15 milionë euro dëmtohet buxheti i Kovës për një vit nga mungesa e kontratave.
Azemi thotë se numri i atyre që punojnë pa kontrata është aq i madh sa iu ka shkuar në mendje se qëndron dikush prapa punëdhënësve “keqbërës”. Fjala është për kompanitë e mëdha që kanë të punësuar mbi 1 mijë persona.
NOA