English

Rama në Kavajë: Idealet mos i tradhto, merr hak me votë ndaj tradhtarëve

Kavajë, 10 prill 2011, NOA – Lideri i opozitës Edi Rama në vijim të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit zbriti edhe në rrugët e qytetit të Kavajës, ku u takua me banorët dhe dëgjoi shqetësimet e tyre të përditshme. Rama u kërkoi votën kavajasve duke u thënë atyre se rruga e vetme për zhvillimin e Kavajës është të votojnë kandidatin e “Aleancës për të ardhmen” dhe të dënojnë me votë ata që tradhtuan idealet e kavajasve.

Në këtë shëtitje elektorale kryesocialisti Rama shoqërohej nga kandidati socialist i “Aleancës për të ardhmen” për bashkinë e Kavajës, Elvis Rroshi.

Një banor i Kavajës duke i shprehur shqetësimet e tij i uroi mirëseardhjen kreut të socialistëve më këto fjalë: “Mirësevjen në këtë qytet të persekutuar prej 20 vjetësh” i ka thënë një banor kreut të opozitës.

Shefi i opozitës duke prezantuar kandidatin Rroshi u tha banorëve se “Unë jam shumë krenar se në Kavajë falë kësaj aleance për të ardhmen është mundësia që çdo socialist, çdo demokrat, çdo njeri i ndershëm të ndjehet mirë, se nuk po voton për një njeri me teser partie, por po voton për një njeri me teser qytetarie”.

Por gjatë rrugëtimit të tij nëpër qytetin e Kavajës Rama u takua edhe me banorë me bindje të djathta, të cilët i premtuan Ramës se votën në 8 maj do ta japin për “Aleancën për të ardhmen”.

“Unë jam pishtar i demokracisë, jam ultra i djathtë dhe nuk e tradhtoj idealin tim që më bëri për të vdekur, por votën do t’ja jap Ervinit. Ky ka thënë sloganin e vet, partia ime është Kavaja. E dyta, ka thënë që unë gjithë tenderat do t’ia jap biznesmenëve të Kavajës. E treta, ka thënë që gjithë qytetarët e mi do t’i pres në zyrë qoftë ata që do më japin votën, qoftë ata që s’do ma japin votën”, i tha një banor i Kavajës, i cili ishte me bindje të djathta.

Rama iu përgjigj kështu banorit të Kavajës: “ti idealet e tua mos i tradhto kurrë, por me ata që i kanë tradhtuar duhet të marrësh hak me votë, se ndoshta kushedi tradhtarëve ju vijnë mendtë më vonë”.

Kryesocialisti Rama vijoi më tej lançimin e kandidatit socialist duke theksuar se “Për momentin ty të duhet Ervini që s’ka teser partie, ka teser qytetarie dhe ato që the që të ka thënë janë premtime qytetari, jo premtime pushtetari”, përfundoi Rama.

Më herët kryetari i Partisë Socialiste ishte edhe në Pogradec, ndërkohë që në mbrëmje u rikthye në Tiranë ku prezantoi kandidatin e “Aleancës për të ardhmen” për kryetar të minibashkisë nr. 6 në Kombinat, Krenar Cenollarin.

mit/NOA

KOMENTE