Pogradec, 10 prill 2011, NOA- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama që nga qyteti i Pogradecit ka vijuar akuzat ndaj Kryeministrit Berisha dhe kreut të LSI-së Ilir Meta.
Sipas tij, edhe Meta edhe Saliu kanë për të dhënë llogari para qytetarëve për politikën e ndjekur dhe për dëmin që ju kanë sjellë shqiptarëve.
Kryesocialisti u ndal në Pogradec për të prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, për bashkinë e Pogradecit, Artan Shkëmbin.
Rama tha se Partia Socialiste është e vetmja rrugë për qytetarët duke shtuar se e ardhmja e tyre është vetëm kjo parti.
“Artan Shkëmbi është Pogradeci që ne duam. Ai është alternativa jonë ndaj politikës së vjetër e cila punon dhe mendon për vete”, u shpreh ai.
Ditën e djeshme edhe Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për qytetarin”, prezantoi kandidatin për këtë bashki, Luan Topçiun, i ardhur nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Shkëmbi rikandidon sërish për të mbajtur këtë post, pasi edhe aktualisht ai është në krye të bashkisë së Pogradecit.
a.y/NOA