Tokio, 11 prill, NOA – Fiks një muaj pas fatkeqësisë natyrore të 11 marsit, Japonia është goditur përsëri nga tërmeti, ndërkohë që është paralajmëruar se një tsunam i ri do ta godasë sërish këtë vend të Lindjes së Largët.
Ka qenë BBC, i cili bëri me dije i pari lajmin, duke konfirmuar se ka qenë një tërmet prej 7.1 ballësh i cili e ka goditur Japoninë, pa ditur nëse ka viktima prej tij.
Raportohet paraprakisht se epiqendra e tërmetit ka qenë rajoni i Ivakis pranë centralit të Fukushimës ku mësohet se janë evakuuar edhe punonjësit e këtij centrali.
Mbi 13 mijë njerëz të vdekur dhe 14.500 ende të zhdukur, pa përmendur me dhjetëra të prekur nga rrezatimet radioaktive, ka qenë bilanci zyrtar përfundimtar i të prekurve nga fatkeqësia natyrore e tërmetit dhe tsunamit shkatërrues, që u shënua një muaj më parë në Japoni.
n.e/NOA