English

Basha: Unaza e Madhe gjeneron mbi 5 mijë vende pune

Tiranë, 11 prill 2011, NOA – Kandidati demokrat i “Aleancës për qytetarin” për Tiranën Lulzim Basha ka garantuar qytetarët e Tiranës se investimet në infrastrukturë do t’i shërbejnë hapjes së menjëhershme të mijëra vendeve të reja të punës, duke mundësuar edhe zhvillimin e mëtejshëm të kryeqytetit.

Në vijim të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit kandidati për Bashkinë e Tiranës deklaroi se në programin e tij parashikohet mbështetje për ndërtimin e Unazës së Madhe, që sikundër premtoi ai do të gjenerojë hapjen e mbi 5 mijë vendeve të reja të punës.

Sipas Bashës gjatë katër viteve të mandatit të tij do të asfaltohet çdo rrugë e Tiranës, do të hapen akse të reja që nuk ekzistojnë, ndërsa do t’i kushtohet vëmendje e veçantë parkingjeve në kryeqytet.

“Duke përfaqësuar interesat e çdo qytetari dhe gjithë komunitetit, do bëjmë gjithçka që Unaza e Madhe të jetë një realitet i prekshëm sa më shpejt. Si pjesë e planit tim infrastrukturor për Tiranën, do të fillojë hapja e akseve të tjera rrugore që tani nuk ekzistojnë, bazuar gjithmonë në një plan afatgjatë zhvillimi të qytetit. Brenda 4 vjetësh, të gjitha rrugët e Tiranës do të asfaltohen, do të shtrohen, duke përfshirë edhe trotuaret. Do të ndërtohen të paktën 4 vendparkime të mëdha publike, përmes një bashkëpunimi edhe me sektorin privat. Ringritja e akseve ekzistuese rrugore dhe akseve të reja, do të bëhet duke pasur vëmendje të veçantë për vendparkimet”, premtoi Basha.

Ai siguroi se çdo ndërtesë e re, çdo qendër tregtare, çdo bllok banimi, qoftë edhe një godinë e vetme, do të ketë si pjesë integrale e planifikimit dhe zbatimit, vendparkime.

Basha premtoi gjithashtu se si në çdo qytet europian, do të ketë vendparkime të dedikuara për personat me aftësi të kufizuar.

“Vetëm projekti i Unazës ë Madhe do të hapë mbi 5 800 vende të reja pune. Nëse ne zgjedhim të kemi të gjitha këto, duhet patjetër të lëmë mënjanë betejat politike. Ti përkushtohemi punës për qytetarin, t’i përkushtohemi projekteve tona”, theksoi kandidati për kryebashkiak në Tiranë Lulzim Basha.

Në një takim që zhvilloi me banorë të Saukut, Basha garantoi se banorët do të kompensohen me vlerën e tregut për çdo metër tokë që do t’i shërbejë ndërtimit të veprave publike, siç është Unaza e Madhe.

“Tokë apo truall, çfarëdo statusi që të kenë, do të vlerësohen me vlerë tregu”, tha Basha.

Krahas korpusit të Universitetit të Tiranës, kandidati për Kryetar Bashkie Lulzim Basha parashikon dhe ndërtimin e një korpusi për Universitetin Politeknik.

Këtë ide ai e bëri publike në bashkëbisedimin me studentë të këtij universiteti.

“Si kryetari i ardhshëm i Bashkisë, do të jem i përkushtuar 100 %, për ndërtimin e Kampusit Universitar për Universitetin Politeknik të Tiranës. Do ta bëj këtë, i bindur se fiton Universiteti Politektik, fitoni ju studentë, përfiton e gjithë hapësira qytetare, fiton Tirana”, tha Basha.

Kandidati për Tiranën Lulzim Basha ripërsëriti angazhimin tij për kartën e studentit, mbështetjen financiare për studentët e shkëlqyer dhe ata në pamundësi ekonomike, si dhe marrjen parasysh të mendimeve të tyre në politikat e zhvillimit të Tiranës.

mit/NOA

KOMENTE