English

Berisha nga Shkodra: Shkodra do shndërrohet në kryeqytetin e vendit

Shkodër, 11 prill 2011, NOA – Lideri demokrat premtoi pasdite nga Shkodra se gjatë katër viteve të ardhshëm me investimet e mëdha në qytetin e Shkodrës ajo do të shndërrohet në kryeqendrën e Shqipërisë. Këtë premtim kryeministri Berisha e bëri gjatë çeljes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit në kryeqendrën e veriut, ku ai prezantoi edhe kandidatin për kryetar bashkie të “Aleancës për qytetarin”, Lorenc Lukën, i cili rikandidon për këtë post për mandatin e dytë qeverisës.

Shefi i PD-së garantoi se “në katër vitet që vijnë me Lorenc Lukën, do bëjmë më shumë se në 20 vjet të marrë së bashku. Shkodra në katër vitet e ardhshëm do të jetë kryeqendër e Shqipërisë, kryeqendra më e zhvilluar e të gjithë rajonit”.

Kryeministri Berisha duke prezantuar Lorenc Lukën theksoi se gjatë katër viteve që shkuan Shkodra është ndryshuar dhe i janë hequr edhe rrudhat e shëmtuara të regjimit komunist.

Kreu i qeverisë duke iu referuar katastrofës natyrore të dhjetorit që shkoi premtoi se “Këto katër vite së bashku do t’i japim fund katastrofës natyrore ciklike, Shkodra do të ketë by-passin e saj”.

Ai foli për investimet e shumta në qytetin e Shkodrës, duke theksuar gjatë katër viteve të mandatit që shkoi, në qytete, komunat, fshatrat e Shkodrës u ndërtuan 448 km rrugë.

“Katër vitet që vijnë, ne do të ndërtojmë çdo rrugë dhe rrugicë të këtij qarku nga Fierza në Vermosh. Katër vitet që shkuan, ne kemi ndërtuar 130 shkolla, katër vitet që vijnë ne do të ndërtojmë çdo shkollë të këtij qarku. Ne kemi bërë investime të mëdha në ujësjellësa, kanalizime dhe gjatë 4 viteve të ardhshëm, Shkodra do të ketë 24 orë ujë” theksoi Berisha.

“Shkodra djep i kulturës sonë aktuale, i kulturës sonë të lashtë, do të shumëfishohen investimet tona në kulturë në tërë Shkodrën”, premtoi kryeministri.

Ai bëri me dije para simpatizantëve demokratë në Shkodër se “Kjo është rruga jonë e gjithsecilit prej jush, rruga e lirisë, që secili nga ne e ka në dorë të bëhet arkitekt i të ardhmes së tij, familjes, lagjes, komunitetit”.

Këtu ai nuk la pa shigjetuar kundërshtarin e tij politik Edi Rama, që si slogan të fushatës ka “e vetmja rrugë”.

“Krahas kësaj rrugë bijtë na sjellin rrugën e etërve, ‘rrugën e vetme’, le t’ua lëmë atyre ne rrugën e vetme”, tha kryeministri duke i bërë një tjetër apel kryesocialistit Rama.

“I them shokut Edvin Rama se vërtet në këtë fushatë nuk do harroj të merrem qoftë edhe 30 sekontda me të, pasi njeriu që merret më shumë me Edvin Ramën është Edvin Rama vetë. Duaje fatin tënd, ne do të fitojmë”, deklaroi kryeministri Berisha nga qyteti i Shkodrës.

mit/NOA

KOMENTE