English

Braçe letër Topallit: Mos bllokoni hetimet mbi kuvendin me lojën e afateve

Tiranë, 11 prill 2011, NOA – Pas dështimit të mbledhjes së sotme të Komisionit Hetimor për Kuvendin, për shkak se deputetët e mazhorancës janë në fushatën elektorale, kryetari i këtij komisioni deputeti socialist Erion Braçe i ka bërë thirrje Kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli të mos lejojë bllokimin e punës së komisionit dhe të mos pengojë transparencën e punimeve duke moslejuar pjesëmarrjen e mediave gjatë diskutimeve.

“Mendoj se instrumenti i bllokimit të hetimeve me synim dështimin e hetimit përmes lojës me afatet, është një preçedent i rrezikshëm që nuk duhet të kalojë nga keqbërësit në Gjykata tek Kuvendi i Shqipërisë si institucioni më i rëndësishëm në vend”, deklaron Braçe në një letër zyrtare drejtuar kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. Përmes letrës deputeti Erion Braçe në cilësinë e kryekomisionerit i prezantoi zonjës Topalli shqetësimet lidhur me mbarëvajtjen e punimeve të komisionit.

“Komisioni ka zhvilluar mbledhjen e tij të parë në respekt të rregullave të bashkëfunksionimit të tij. Por, sot që u mbajt mbledhja e dytë munguan deputetët përfaqësues të maxhorancës parlamentare, e siç ju e dini, maxhoranca ka shumicën në këtë komision”, shkruan Braçe në letër.

Ai i referohet edhe ligjit për funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare, ku në pikën 1 thuhet se “Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur në to merr pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij”. Sot m’u bë me dije se deputetët e maxhorancës do të mungojnë në punimet e këtij komisioni deri me datë 8 Maj”, shprehet më tej kreu i Komisionit hetimor, duke theksuar se “praktikisht pas këtij vendimi komisioni dhe puna e tij janë të bllokuar”.

Braçe i propozoi dy zgjidhje kryeparlamentares Topalli: “Kuvendi të zëvendësojë anëtarët e maxhorancës, që refuzojnë të paraqiten në punimet e këtij komisioni; si dhe Kuvendi të pezullojë punën e këtij komisioni deri më datën 8 Maj duke mos e penalizuar hetimin përmes konsumimit të afateve”.

Duke iu referuar seancës së sotme të komisionit, kryetari i tij, Erion Braçe bëri me dije se “administrata e Kuvendit dhe shërbimi i sigurisë në Kuvend, kanë penguar gazetarët e mediave kombëtare të ndjekin punimet e Komisionit Hetimor Parlamentar, duke nënvizuar se edhe pas ndërhyrjes sime si drejtues i këtij komisioni për më shumë se 25 minuta prezenca e medias nuk është mundësuar në ambientet ku ishte mbledhur Komisioni Hetimor Parlamentar”.

Në këto kushte deputeti socialist Erion Braçe i kërkoi kryeparlamentares Topalli të ndërpresë menjëherë këtë praktikë bllokimi duke i kujtuar asaj se një veprim i tillë cënon rendë liritë dhe të drejtat e deputetëve, por veçanërisht detyrimin e Kuvendit për të qenë transparent në raport me median dhe publikun.

Kjo letër vjen pas vendimit të Kuvendit për ngritjen e një komisioni hetimor të kuvendit për hetimin e drejtimit dhe veprimtarisë së organeve drejtuese dhe shërbimeve të kuvendit, për periudhën shtator 2005 - dhjetor 2010”, një hetim i kërkuar nga opozita.

mit/NOA

KOMENTE