English

“Dancing with the stars”… ku kërcimi nuk njeh asnjë kufi

Tiranë, 11 prill, NOA - Petrika Grosi/ Ethe gare, emocione e performanca të jashtëzakonshme. Debate që kanë mbajtur gjallë pjesën më të mirë të spektaklit, në skenë e në gold room. Momente tejet prekëse, kur i gjithë publiku u ngrit në këmbë për të duartrokitur balerinën londineze që u shfaq që skenën e “Dancing with the stars” duke kërcyer bashkë me karrocën e saj të invalidit, me të cilën prej 10 vjetësh që kur në jetën e saj ndodhi një aksident i rëndë, ajo realizon shfaqje në gjithë botën. Mbi 500 performanca të realizuara në shumë e shumë skena. Performanca e radhës ishte kjo në “Dancing with the stars”, ku producentja Holta Dulaku e ftoi për të përcjellë mesazhin më të fortë që mbart vetë kërcimi: pasioni për kërcimin bën mrekulli të mëdha. ndryshon dhe jetë njerëzish.

Në transmetim live në Vizion Plus, që përmes platformës satelitore Tring Digital ndiqet në gjithë botën, në prezantimin e çiftit që po bëhet gjithnjë e më interesant, Ami Toskës dhe Ermal Mamaqit, me koreografi gjithnjë e më të arrira të Enada Hoxhës e Gerti Vasos e nën kostumet e mrekullueshme të Ardi Asllanit, nata e dytë e “Dancing with the stars” ka vijuar po aq e mbarë sa filloi. E menduar deri në detaje nga regjisorja Vera Grabocka spektakli dhe gara e kësaj jave ka mbajtur mbërthyer para ekranit me mijëra njerëz.

***

Vipat u dukën edhe më të motivuar për të dhënë më të mirën në këtë garë kërcimi dhe jo vetëm. Pjesa më e madhe e tyre u shfaqën të zhveshur nga emocionet e natës së parë, por të mbërthyer nga ethe të reja. Me rumba dhe cha cha cha ça ça ça, mes të tjerash kjo mbrëmje solli një surprizë të hidhur për Shpat Kasapin, i cili pas vlerësimin të jurisë dhe kritikave, u duk melankolik gjatë gjithë mbrëmjes, ndërkohë që kolegët janë munduar t’i

ngrenë moralin për ta marrë të gjithë këtë si një nxitje dhe për t’u karikuar më tepër gjatë provave të kësaj jave, në mënyrë që performanca e tij të enjten që vjen të jetë në nivel të lartë. Pikët maksimale të mbrëmjes së dytë në spektaklin Dancing with the stars i ka fituar Çiljeta Xhilaga, e cila u votua nga juria me plot 25 pikë nga 30 të tilla të mundshme. Çiljeta shprehet: “Jam kthyer në stilin tim dhe të gjithë e panë rezultatin. Natën e parë, kërkuan të më nxirrnin më tepër si një princeshë. Jam shumë e lumtur dhe falënderoj Zotin. Unë balerinë? Nuk arrij ta besoj dot…” . Sa i takon vipave të tjerë, Çiljeta nuk sheh rivalë. Këtë e thotë në kuptimin që pjesëmarrjen në këtë garë e ka marrë

thjesht si një përvojë të bukur, pa pasur ndonjë konkurrencë me askënd… Një performancë të veçantë, në ngritje nga nata e parë ka realizuar edhe bukuroshja kosovare Agnesa Vuthaj me balerinin italian, duke u shfaqur provokuese dhe mjaft pasionante në numrin e saj. Ajo pohon se koreografia u ndryshua me qëllim nga balerini italian, për të dhënë diçka impresionuese. Qëllimi u arrit! Objektivat e Agnesës? Përveç kërcimit dhe

argëtimit në Dancing with the stars, padyshim që ajo pretendon me çdo kusht të mbërrijë deri në finale. Sa do t’ia dalë mbanë? Le ta shohim. Gazetari i njohur Arian Konomi është shfaqur në formë në këtë mbrëmje por teksa e pyesim ai përgjigjet se priste pak më shumë mbështetje nga juria. “Natën e parë e pata më të vështirë me emocionet. Ndryshe nga shumica e personazheve këtu që janë këngëtarë ose aktorë, të mësuar me skenën dhe

ekranin dhe fshehjen e emocioneve unë e kam pak problem këtë por po arrij ta menaxhoj mirë”, tregon ai pas mbylljes së spektaklit. Big Basta përpiqet gjithnjë e më tepër të shtojë energjitë dhe të ulë kilet. Duket i vendosur për t’i shkuar kësaj gare deri në fund me një shpirt sportiv. Ai ka mjaft besim te mbështetja që do t’i japin edhe fansat përmes votimit, në mënyrë që ta vazhdojë gjatë këtë garë në arenën e yjeve.

***

Paraqitje e shkëlqyer edhe për Vesa Lumën, e cila duke qeshur thotë se jo vetëm po argëtohet në këtë spektakël por edhe po përgatitet që t’i bëjë sa më të bukura klipet e saj në të ardhmen. Natyrisht, edhe Vesa pretendon finalen. Eloise le Petit, tregon pas shfaqjes se ka kërcyer duke vuajtur. Shpina e saj ka pasur probleme në këtë mbrëmje, e megjithatë, francezja ka treguar një shpirt të fortë luftarak duke e çuar performancën deri në fund, madje me shumë dinjitet dhe me sharmin parizien që e shoqëron. Olsi Mingomata, ka realizuar një performancë në rritje nga më parë. Batutat nuk kanë munguar mes tij dhe Arian Çanit. Regjisori Hervin Çuli është kritikuar se ka shfaqur më tepër në skenë aktorin sesa kërcimtarin duke e mbajtur vazhdimisht shikimin poshtë drejt këmbëve dhe duke u shfaqur pak i ngathët. Pas kësaj është zhvilluar një debat mes Arian Çanit dhe Hervin Çulit, ç’ka e ka ndezur atmosferën. E në fakt, formati i licencuar nga BBC dhe i vlerësuar si një ndër më të mirët në Europë, e kërkon një lloj debate të tillë, sepse po aq e vërtetë sa është gara, rrëfimet e personazheve po aq të vërteta janë dhe opinionet e vlerësimet e tre anëtarëve të jurisë Iva Tiços, Ilir Shaqirit e Arian Çanit. Një debat i hapur sigurisht që është pjesë e një reality show të tillë mbi kërcimin. Jo pak batuta ka shkëmbyer me anëtarët e jurisë dhe shkrimtarja Mimoza Ahmeti, që kësaj here erdhi me një rumba, me synimin për të mos mbetur sërish në vendin e fundit të renditjes dhe për të mos shkuar në shtëpi. Por mesa duket nuk ia doli mbanë. Vlerësimi për të në këtë natë ishte sërish më i ulëti duke e bërë poeteshën që gjatë gjithë kohës të mendojë

seriozisht për sfidën e dance off-it në fundin e natës. Por, në momentin e fundit Ermal Mamaqi ka deklaruar surprizën e produksionit, i cili vendosi që edhe këtë javë të mos ketë asnjë eliminim. Kjo surprizë ishte dhe shpëtimi i Mozës dhe Hervinit, të cilët ishin në fund të tabelës, pa përfshirë këtu votimin e publikut. Kujtojmë se në këtë format gjithçka

është e mundur dhe votat e publikut mund ta shpëtojnë papritur një vip nga fundi i renditjes, duke çuar dikë tjetër në dance off. Ndërkaq, Enver Petrovci dhe Olta Gixhari janë dy vipa të tjerë, të cilët duket se nuk e kanë problem ambientimin me skenën dhe mësojnë lehtë koreografitë e reja duke ecur me hapa të sigurt përpara në këtë spektakël. Megjithatë, asgjë nuk mund të parashikohet pasi është ende herët flitet për ecurinë e çifteve në të ardhmen.

NOA

KOMENTE
  • Anizel19:43 - 11 Prill 2011
    .....UAAAAAAA surprize...Çiljeta po fiton gjithandej......o mortja...... e ardhmja e shtetit SHQIPTAR....