English

FDBK: BE sheh shkopin e nacionalizmit shqiptar dhe nuk sheh trarin e shovinizmit grek

Shkup, 11 prill, NOA - Bashkimi Evropian e sheh shkopin “e nacionalizmit” në sytë e Republikës së Shqipërisë, dhe nuk e sheh trarin e shovinizmit grek në sytë të Greqisë!

Ky reagim ka mbërritur së fundmi nga Fronti Demokratik i Bashkimit Kombëtar, lidhur me deklaratat e komisionarit të Zgjerimit të BE, Stefan Fule, se “Komisioni nuk do të sugjerojë çeljen e negociatave anëtarësuese të Shqipërisë me BE, në rast se autoritetet e vendit nuk përballojnë efektivisht fenomenet në rritje të nacionalizmit".

Kjo ka qenë në fakt, përgjigja zyrtare e Fules, drejtuar eurodeputetëve grekë, të cilët shprehën shqetësimin e tyre për “shpërthimin e nacionalizmit shqiptar” kohët e fundit.

Komisioneri Fule gjithashtu është shprehur se, çështjen e manifestimeve të vazhdueshme të nacionalizmit do ta përfshijë në 12 prioritetet kyçe, që do të përbëjnë kushte për fillimin e negociatave me Republikën e Shqipërisë.

“Por Bashkimi Evropian e kap peshkun prej së mbrapshti, për bishti, dhe i lëkundet prej dorës, sepse si tregues të asaj që eurodeputetët grekë quajnë shpërthim nacionalizmi, përmendet incidenti i Himarës ku humbi jetën një i ri, "pjesëtar" i komunitetit grek,

incidenti në varrezat e Boboshticës, sulmet të një pjese të medias shqiptare ndaj kryepeshkopit të kishës ortodokse Anastas, kthimi i paktit për definimin e kufirit ujor mes dy vendeve nga Gjykata Kushtetuese Shqiptare, apo ndërhyrja e përfaqësuesve të shtetit shqiptar në procesin e regjistrimit të popullsisë”, pohon deklarata e FDBK-së.

Duke shtuar se yë gjitha ato që greku i quan si shpërthim nacionalizmi nuk janë asgjë tjetër, veçse zbatim i ligjeve të Bashkimit Evropian (BE) dhe të parimeve demokratike që kanë vendet e Bashkimit Evropian.

“Vrasja në Himarë ka qenë veçse një aksident dhe kurrë ai që u vra nuk ka qenë minoritar grek, sepse s’ka minoritarë grekë në Himarë, ata janë të nxitur prej regjimit kriminal të Athinës, duke iu dhënë edhe pensione, që të deklarohen grekë. Për varrezat e Boboshticës janë vetë fshatarët atje ata që nuk duan që eshtrat e njerëzve të tyre të varrosen si eshtra të “ushtarëve grekë”. Për kthimin e paktit për definimin e kufirit ujor, mos duan grekët t'iu kërkojmë falje ne shqiptarët se pse e paskemi mbrojtur Kushtetutën dhe vendin tonë!”, vijon edhe më i ashpër reagimi i FBDK-së.

Duke përfunduar me prekjen e çështjes së regjistrimit të popullatës, për të cilën thotë se “ndërhyrja e përfaqësuesve të shtetit shqiptar në proces, është më se normale që ata të mos lejojnë regjistrimin e popullsisë, duke shkelur lidhet dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ashtu siç edhe ka dëshiruar Athina, e cila ka nxitur dhe stimuluar, edhe financiarisht, deklarimin e shqiptarëve të jugut të Shqipërisë si grekë!”.

n.e/NOA

KOMENTE