English

Koha e artë e profesionit Përkthyes

Nga Adnan Abrashi*

I kapluar si çdo ditë nga pashpresa dhe gjendjes shpirtërore të vetëdiagnostifikuar si dëshpërim, në situatat e gjata të kotësisë së zakonshme ditore, mendja ime sot u kaplua nga një ndërgjegjësim i vonuar: tek tashti fillova të pendohem thellë se pse në rinin time tashmë të perënduar, nuk i kam dhënë rëndësi sa duhet mësimit të gjuhës angleze. Ndoshta edhe për këtë nuk kemi faj. Gjenerata ime ishte e “privilegjuar” (lexo: obliguar) ta mësonte gjuhen zyrtare të popullit më “hyjnor në botë” – serbishten, gjuhën unifikuese të vëllazërim-bashkimit të kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë Socialiste Vetëqeverisëse.

Kush në atë kohë ka mundur të parashikojë se pas vitit 1999 në Kosovë, shkathtësia e njohjes së anglishtes, do të jetë më e kërkuar se vetë gjuha ime e bukur amtare shqipe? Pra, ajo gjuhë zyrtare e shpëtimtarëve tanë, snobizmit bashkëkohor modern, kulturës së shkëlqimit, damkë e emancipimit dhe demokracisë së mirëfilltë perëndimore...

Edhe pse gjatë arsimimit shkollor nuk janë treguar aq inteligjent në njohuri tjera, disa nga miq të mi që atëbotë e kishin përvetësuar mirë anglishten me dedikim kryesisht për t’i kuptuar tekstet e këngëve të muzikës së huaj, pas instalimit të protektorati ndërkombëtar-UNMIK në Kosovë, ju çel nafaka dhe ja panë hajrin kësaj shkathtësie të tyre linguistike. Me disa testime formale “Do you speak English”?, shpejtë u punësuan si përkthyes profesionist. Dhe jo vetëm kaq! Derisa kudo në Kosovë, kuadrot tona të larta akademike për punën kolosale intelektuale që bënin, paguheshin mizorisht, rroga e një përkthyesi tejkalonte dhjetëfishin e bazës së tyre të të ardhurave personale mujore.

Që nga viti 1999 e më tej, koha e artë e profesionit të Përkthyesit në Kosovën protektorat, vërtet ishte në zenit të interesimit të qytetarëve tanë të cilët dita më ditë varfëroheshin moralisht dhe materialisht. Disa pak sa më të mençur nga kjo kategori që kishin edhe ndonjë diplomë fakulteti paralelisht, nuk u kënaqën vetëm me kaq. Duke qenë gjithnjë afër personaliteteve të larta autoritare vendimmarrëse të politikës ndërkombëtare, frytshëm e shfrytëzuan shansin e ofruar të rastit. Në çdo konkurs të këtyre institucioneve të huaja për t’i dërguar falas për aftësim kuadrot kosovare në shkollime, studime post-universitare, kurse profesionale etj. në Evropë dhe SHBA, ata pa kurrfarë pengesa arrinin të klasifikoheshin lartë në listat e të përzgjedhurve më të përshtatshëm.

Edhe presidentja e jonë së pari ka qenë përkthyese

Shembuj të ngritjes së shpejtë edhe në hierarkinë e lartë politike-shtetërore të këtyre kuadrove përkthyes në profesion, kemi me bollëk në Kosovë. Pa i llogaritur ata/ato që sot punojnë nëpër ministri dhe kabinete të ndryshme qeveritare, mjafton si shembull të përmendim dy prej tyre që karrierën e suksesit të vetë ia kanë nis si përkthyes, e tashti janë avancuar në poste më të larta shtetërore: ish ministrin tonë të Punëve të jashtme, z. Skender Hyseni (fillimish si përkthyes i Ibrahim Rugovës), dhe presidenten tonë të porsazgjedhur, znj. Atifete Jahjaga (fillimisht si përkthyese në UNMIK).

Edhe pse ky profil i zanatit profesional, nga njëra anë, disave ju sillte përfitime dhe përparime të shpejta në rrafshin personal, nga ana tjetër, gjuhës tonë të bukur shqipe, kjo gjeneratë e përkthyesve fatlum të pasluftë, i ka sjell dëme të konsiderueshme kulturore linguistike. Meqë çdo akt formal juridik te ne është “copy paste”, dokument nga gjuha angleze, ata, pa qenë as përafërsisht njohës të fushës ku përkthenin, pamëshirshëm kanë dhunuar dhe sakatosur standardet më elementare të rregullave tona të mirëfillta gjuhësore.

Sot, fal përkthimeve të dobëta nga gjuha anglishte, në komunikim me shkrim të nivelit të lartë zyrtar shtetëror, me të madhe vërejmë shumë raste të shkeljeve drastike të normës gjuhësore; fjalë dhe struktura të huazuara sintaksore; zhvendosje e shprehur e rendit të fjalëve; ndjesia se në kuptimin e tyre qartë vërehet mungesa e një frymëzimi të përsiatur profesional; nocionet dhe frazat që e ndërtojnë tërësinë e këtyre akteve dhe dokumenteve tjera zyrtare, fare nuk rrezatojnë ndjenjën e burimi të vërtetë nga një mendësi krijuese ekspertësh që mendojnë dhe flasin shqip, por, thjesht, na shpalosen si përkthime të zbehta dhe joprofesionale të bëra nga një gjuhë tjetër.

Në Kosovën tonë të tashme, me përplot probleme serioze politike, juridike, morale dhe sociale, pa dyshim se fenomeni i profesionit PËRKTHYES, më së paku duhet të zë vend si vëmendje në preokupimet tona. Ama, kjo ndoshta ishte si reagim i imi i pavetëdijshëm ndaj një dokumenti të përkthyer nga anglishtja në shqip prej një përkthyesi kinse profesionist që punon në EULEX...

P.S. Pas përcjelljes kolektive të serive (telenovelave) të shumta latino-amerikane dhe turke që kohën e fundit po transmetohen gati në të gjitha TV stacionet tona lokale dhe kombëtare, tek CV-të e kandidatëve të shumtë që kërkojnë punë, në listën e njohurive të tyre të gjuhëve të huaja, përveç anglishtes, ju janë shtuar edhe spanjishtja dhe turqishtja.

* Shkrim i dërguar nga autori

KOMENTE