English

Kryeministri nga Kurbini: Mjerë ai që kujton se mund të zërë rrugën e Zotit

Kurbin-Laç, 11 prill 2011, NOA – “Do t’i rikthejmë Kurbinit një nga tregjet më të mëdha të trojeve shqiptare, tregun e Milotit. Do të ndërtojmë gjimnazin e ri të qytetit të Laçit, do t’i ndërtojmë në çdo fshat e në çdo lagje të këtij rrethi sistemet e ujësjellësve e kanalizimeve”. Këto ishin disa nga premtimet elektorale të kryeministrit Sali Berisha gjatë mitingut elektoral në Laç për zgjedhjet vendore të 8 majit, ku prezantoi kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” për kryetar bashkie të këtij qyteti, Bardhi Ricën. Gjatë mitingut ku merrnin pjesë edhe Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli si dhe deputetë të zonës, lideri demokrat vlerësoi kandidaturën e Ricës dhe siguroi se në katër vitet që vijnë qeveria do të financojë çdo projekt për Kurbinin, duke e cilësuar atë si një nga rrethet më të fuqishme turistike të Shqipërisë dhe një nga epiqendrat kryesore të zhvillimit të vendit.

Kryeministri siguroi se me Bardh Ricën e qeveritarët e tjerë vendorë, do të punohet për ndërtimin e Landfill-it në këtë rreth.

“Së bashku me Bardh Ricën e qeveritarët e tjerë vendorë, do të përcaktojmë dhe nisim punimet për Landfill-in, në mënyrë që kjo të jetë një nga zonat më të pasura në Shqipëri, më tërheqëse për turizmin. Në partneritet me sektorin privat, ne do t’i rikthejmë Kurbinit një nga tregjet më të mëdha të trojeve shqiptare, tregun e Milotit. Do të ndërtojmë gjimnazin e ri të qytetit të Laçit. Sistemet e ujësjellësve e kanalizimeve do t’i ndërtojmë në çdo fshat, në çdo lagje të këtij rrethi”, premtoi kryeministri.

Ai tha se do të bëhet gjithçka për tërheqjen e investimeve të huaja, për punësimin e qytetarëve të Kurbinit.

Duke vënë në dukje investimet në katër vitet e kaluara, kryeministri bëri me dije se në këtë rreth janë ndërtuar 90 kilometra rrugë, me vlerë 84 milionë euro, 14 sisteme ujësjellës e kanalizime, 16 shkolla, 6 qendra shëndetësore, janë subvencionuar 270 ha vreshtari e dru frutorë.

Në këtë kontekst u tha banorëve të Kurbinit se “alternativa tjetër që ofrohet, ajo “e rrugës së vetme”, është një rrugë pa kthim, duke i bërë thirrje kurbinasve të votojnë alternativën e mundit, djersës, e premtimit, e mbajtjes së fjalës, e shkollave, kanalizimeve, turizmit, kopshteve e fermave të zhvilluara private.

“Nga Kurbini dua t’i them dy fjalë zotit Rama; i nderuar zotëri, të gjithë shqiptarët kudo që janë, kanë së paku 2 rrugë; njëra është rruga e Zotit dhe mjerë ai që kujton se mund t’ua zërë, mund t’ua pushtojë rrugën e Zotit besimtarëve të tij. Tjetra është rruga e lirisë, rruga që na bën ne të mundur që të zgjedhim atë çka besojmë dhe mendojmë se dimë dhe mund të bëjmë më mirë, atë që ne na duhet, që na shërben, që na zhvillon, na përparon”, tha shefi i PD-së.

Në fund të fjalës së tij ai i bëri apel votuesve që t’i bashkohen alternativës së “Aleancës për qytetarin” duke votuar në 8 maj Bardhi Ricën.

“Për ne, ju jeni të parët, për ne qytetari është i pari, për ne Kurbini është i pari, për ne Shqipëria është e para”, garantoi kryeministri Berisha.

mit/NOA

KOMENTE
  • Tahip Lala22:09 - 11 Prill 2011
    RRNOFSH SA MALET O SALI BERISHA: SIGURISHT QE DO FITOJME :